Adriatik Balla 16.05.2015 16:10
Klubet e Kategorisë Superiore po bëjnë planet e tyre madhore në këtë fund kampionati dhe kur mbetet të luhen dhe dy javë deri në mbyllje, duket e kjo javë e parafundit është vendimtare për fatet e skuadrave që dëshirojnë pjesëmarrje në Ligën e Evropës. Në kushtet kur Skënderbeu e ka pronësuar në një farë mënyre titullin “kampion”, skuadrave të tjera u mbetet që të luftojnë për vend të dytë që të sigurojnë pjesëmarrjen në Ligën e Evropës, si një kusht për të përmbushur objektivat e tyre sezonalë.
Kështu, Tirana, Kukësi, Partizani dhe Laçi shpresojnë për një vend në Ligën e Evropës dhe për të katër këto ekipe kjo javë është vendimtare. Sidomos e rëndësishme është kjo xhiro e radhës për Tiranën dhe Kukësin, që mbajnë vendin e dytë dhe të tretë në renditje dhe ku të dyja synojnë fitoren këtë fundjavë në përballjen me njëra-tjetrën që të sigurojnë objektivin tyre madhor. Tirana rrezikon shumë, pasi një humbje bën që të zhvendoset në renditje e të humbasë edhe shansin e fundit sezonal për objektivat e saj.
Nëse nuk sigurojnë pjesëmarrjen në Ligën e Evropës, atëherë bardheblutë mund të quhen tërësisht të dështuar këtë edicion. Për të siguruar pjesëmarrjen në veprimtarinë e dytë të klubeve të kontinentit sezonin e ardhshëm Tirana duhet të fitojë patjetër në “Zeqir Ymeri”, madje edhe në sfidën e fundit të kampionatit në shtëpi me Teutën. Sigurisht suksesi me “Djemtë e detit” në javën përmbyllëse, mund të mos ketë vlerë nëse nuk thyhet tabuja “Zeqir Ymeri”.