AlbanianSport.com 07/01/2019 17:15
ASNN – Kukësi ka bërë një lëvizje të fortë në treg, pasi i mori Luftëtarit dy prej lojtarëve më të mirë, Eduard Rrocën dhe Vasil Shkurtajn. Ardhja e këtij të fundit solli daljen “të tepërt” të mesfushorit Donjet Shkodra. Largimi i Shkodrës është paralajmëruar prej ditësh.
Por vetëm sot erdhi zyrtarizimi i kësaj lëvizjeje, pasi klubi verilindor doli me një komunikatë për shtyp, një qëndrim i bërë publik në profilin e klubit në rrjetin social “Facebook”. Ka pasur një fërkim të vazhdueshëm të mesfushorit nga Kosova me stafin teknik e drejtues, aq sa ai u pezullua për disa ditë.
Dhe nuk ka luajtur rregullisht, megjithëse është një prej futbollistëve më teknikë që kanë luajtur në Superiore. Kukësi vërtetohet që të përzë me lezet e në fund të falënderon, kështu ndodhi edhe me Donjet Shkodrën. “Donjet Shkodra zyrtarisht nuk është më pjesë e skuadrës së FK Kukësit”, – shkruhet në njoftim e klubit verilindor.
“Marrëveshja mes klubit tonë dhe kosovarit ka përfunduar. 29-vjeçari, i cili iu bashkua skuadrës sonë gjatë sezonit të kaluar, është aktivizuar në 46 ndeshje në të gjitha veprimtarië, duke arritur të shënojë 3 gola. FK Kukësi falënderon Donjet Shkodrën për kontributin e dhënë me skuadrën tonë dhe i uron suksese në karrierë”, – përfundon njoftimi.