AlbanianSport.com 06.06.2016 15:25
ASNN – Nuk ka humbur aspak kohë Kukësi për të gjetur trajnerin e ri të skuadrës, duke emëruar në stol Hasan Likën. Zhvillimet e fundit mes presidentit Safet Gjici dhe ish-mesfushorit të njohur të kombëtares, bënë që Klodian Duro të zgjidhte rrugën e largimit nga ekipi verilindor të cilin e kualifikoi për në Ligën e Evropës.
Shkak për këtë vendim është bërë mosgjetja e akordit financiar mes palëve për kontratën e re dhe kjo ndodhi në prag të fillimit të përgatitjeve për sezonin e ri. Akordi i Klodian Duros me drejtuesit kishte si limit finalen e Kupës së Shqipërisë, por, kur pritej të mos kishte probleme, vjen dhe divorci mes palëve.
Trajneri i ri bëhet kështu Hasan Lika, që deri pak ditë më parë ishte drejtori teknik i Kukësit. Klubi verilindor falënderoi ish-trajnerin Klodian Duro për kontributin e dhënë dhe për arritjet në drejtim të ekipit, duke marrë edhe Kupën e Shqipërisë. Pas përfundimit të sezonit, Duro dhe klubi nuk arritën një marrëveshje dhe kontratë të re financiare.
Por edhe pse ndryshimet në stol kanë patur një efekt minimal te lojtarët, mbetet për t’u parë se çfarë do të bëjë skuadra në merkaton e kësaj vere, pasi injektimet e duhura mund t’i sjellin rezultat dhe në Ligën e Evropës. Ekipi do të rinisë stërvitjen më 8 qershor, ndërsa faza përgatitore e Kukësit do të zhvillohet jashtë Shqipërisë.