AlbanianSport.com 08.04.2015 10:45
ASNN – Trajneri Artim Shaqiri përgatit skuadrën pa menduar për ndeshjen e kampionatit. Për Artim Shaqirin, sfida e të mërkurës në “Zeqir Ymeri”, është finalja e parë e një serie përballjesh direkte që do të vendosin fatet e sezonit. Shorti i Kupës së Shqipërisë u tregua tepër kapriçioz, teksa ka vënë përballë dy skuadrat e kreut, pra Kukësin dhe Skënderbeun.
“Me Skënderbeun do të luajmë finalen e parë, pasi na presin të tjera përballje po kaq të vështira, – ka deklaruar ai në prag të sfidës së sotme. – Luajmë në fushën tonë dhe shpresojmë të shfrytëzojmë këtë fakt për të marrë rezultat pozitiv”. Përplasja me skuadrën që po dominon futbollin shqiptar e kalon në plan të dytë takimin me Laçin në kampionat, për të cilin Kukësi, sipas Shaqirit, do të mendojë pas mesjavës.
“Nuk mendojmë për Laçin, por për ndeshjen e Kupës më Skënderbeun. Vetëm pas mes javës do t’i kthejmë sytë te kampionati”, – ka shtuar Shaqiri. Ndërkohë që çdo hap fals në këtë fazë të sezonit mund të kushtojë rëndë dhe këtë e ka të qartë shqiptari i Maqedonisë. “Në këtë fazë të sezonit çdo gabim mund të kushtojë rëndë, prandaj nuk duhet të bëjmë asnjë hap fals nëse dëshirojmë t’i arrijmë objektivat”, – ka përfunduar trajneri i Kukësit, Artim Shaqiri.