AlbanianSport.com 27/03/2019 18:05
ASNN – Kryendeshja e javës së 26-të të Kategorisë Superiore, Kukësi-Partizani, do të luhet ditën e premte në Shkodër, në Stadiumin “Loro Boriçi”. Do të jetë një duel vendimtar për fatet e titullit, ku kukësianëve u duhet me patjetër fitorja, kurse të kuqve kryeqytetas u bën punë edhe barazimi.
Në prag të kësaj ndeshjeje ka entuziazëm dhe optimizëm në të dy kampet, por situatën e zbehu paksa vetë Kukësi, me publikimin e çmimeve të biletave. Më e lira kushton 1,000 lekë, kurse më e shtrenjta 2,000 lekë. Natyrisht, çmime të tilla duken të papranueshme për nivelin e kampionatit dhe njëherësh për xhepat e tifozëve, sepse futbolldashësit shqiptarë kanë mundësi të kufizuara.
Çmime të tilla e kanë vënë Kukësi në shënjestër të kritikave nga tifozët e Partizanit, por edhe nga tifozët e vetë Kukësit, të cilët nuk e kanë miratuar këtë “skemë”, duke i dalë kundër klubit. Në rrjetet sociale, por njoftimit të Kukësit në “Facebook” kanë vërshuar komentet që akuzojnë se çmime të tilla biletash konkurrojnë me skuadrën kombëtare dhe janë të papranueshme për mundësitë e tifozëve.
Për më tepër që ndeshja nuk luhet as në Kukës e as në Tiranë, por në Shkodër, ku tifozëve u duhet të bëjnë shpenzime ekstra. Sidoqoftë, pavarësisht komenteve të tifozëve, duket se Kukësi e ka vendosur përfundimisht çmimin dhe tifozët do të kenë mundësinë të blejnë biletat në Tiranë ditën e enjte ndërsa në Shkodër, pranë stadiumit, ditën e premte.
Pritet të jetë një duel i zjarrtë, ku skuadra e Ramadan Ndreut synon të thyejë Partizanin e të rihapë garën e titullit, në të kundërt Kukësi i thotë “lamtumirë” trofeut kryesor sezonal, për t’i përqendruar forcat në Kupën e Shqipërisë.