AlbanianSport.com 23/12/2018 18:10
ASNN – Kukësi ka rimarrë vendin e dytë në Kategorinë Superiore, pasi mundi të dielën Kastriotin me rezultatin 2-0. Ishte një ndeshje ku verilindorët nuk e vunë në diskutim triumfin dhe njëherësh morën tri pikë që “kërcënojnë” Partizanin kryesues, tashmë vetëm 3 pikë larg. Ndeshja u vendos me dy gola, një në fillim të ndeshjes me Limajn (minuta e 2-të), si dhe një gol në fundin e pjesës së parë me Rexhinaldon (minuta e 35-të).
E parë në tërësi dukej një ndeshje e lehtë për Kukësin, por në fushë nuk rezultoi kështu, sepse skuadra e trajnerit Armando Cungu hasi në vështirësi në depërtimin e zonave mbrojtëse të ekipit krutan dhe në tërësi Kastrioti luajti mirë. Madje skuadra e trajnerit Stavri Nica tentoi të bëjë befasinë, por një Kukësi me eksperiencë dhe pretendent për titull ishte e pamundur t’i bëje “gropën”. Përfundimisht fitoi Kukësi 2-0 dhe siguroi një trepikësh që e kthen në vend të dytë.
Tashmë në kuotën e 34 pikëve, vetëm 3 pikë më pak se Partizani i vendit të parë. Pra gara për titullin kampion është më e hapur se kurrë. Edhe pse Partizani u shpall “kampion dimri”, është realisht Kukësi që ka qëndrueshmërinë dhe ecurinë më të mirë të javëve të fundit, një ecuri që e bind ekipin verilindor të jetë një favorit për trofeun kryesor të futbollit shqiptar. Ndërkaq, janë zhvilluar të premten dy ndeshjet e para të javës së 18-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.
Tirana rikthehet të shkëlqejë dhe të fitojë. Skuadra e drejtuar nga Ardian Mema fitoi në shtëpi 1-0 përballë Flamurtarit, duke e mbyllur vitin 2018 me fitore. Bardheblutë kanë zhvilluar një lojë bindëse përballë një Flamurtari që dukej sikur ishte futur në fushën e lojës për të marrë 1 pikë. Rastet e shumta të krijuara nga bardheblutë u kurorëzuan vetëm në minutën e 87-të pas golit të shënuar nga Edon Hasani. Një fitore që e ngjit Tiranën në kuotën e 17 pikëve.
Ndërkohë Skënderbeu vijon rënien e lirë. Skuadra e Orges Shehit, regjistroi humbjen e 4-t rradhazi duke u mundur dhe nga Kamza. Ernest Gjoka arriti kështu fitoren e parë në krye të Kamzës, falë golit të Masato Fukuit në minutën e 43-të. Java e 18-të e Kategorisë Superiore vijoi të shtunën pasdreke me takimin Teuta-Laçi që u mbyll në barazim 1-1, ashtu sikundër përfundoi të dielën edhe sfida e Gjirokastrës, midis Luftëtarit dhe Partizanit.
Kategoria Superiore
Java e 18-të
Të premten, 14 dhjetor 2018:
Kamza – Skënderbeu 1-0
Tirana – Flamurtari 1-0
Të shtunën, 15 dhjetor 2018:
Teuta – Laçi 1-1
Të dielën, 16 dhjetor 2018:
Luftëtari – Partizani 1-1
Kukësi – Kastrioti 2-0
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Partizani 18 11 4 3 19-98 37
- Kukësi 18 10 4 4 18-9 34
- Teuta 18 9 6 3 24-13 33
- Skënderbeu 18 9 3 6 20-13 30
- Laçi 18 8 6 4 16-13 30
- Flamurtari 18 8 4 6 15-12 28
- Tirana 18 4 5 9 19-21 17
- Luftëtari 18 5 2 11 15-21 17
- Kamza 18 4 3 11 9-20 15
- Kastrioti 18 3 1 14 11-35 10