Adriatik Balla 29.07.2015 10:25
Të enjten Kukësi do të luajë ndeshjen e parë të turit të tretë eliminator të Ligës së Evropës, ku përballë do të ketë nënkampionen e Polonisë, Legian e Varshavës. Kjo ndeshje do të luhet në orën 20:00 në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në Tiranë dhe klubi kukësian si pritës është duke u marrë me organizimin e takimit, në mënyrë që gjithçka të shkojë mirë dhe sipas rregulloreve të UEFA-s.
Por në të njëjtën kohë, të thithen sa më shumë spektatorë në stadium, si një mundësi për të mbështetur ekipin që ai të marrë rezultat pozitiv. Kjo sfidë e parë me polakët është e rëndësishme dhe për të parë forcën e të dyja skuadrave si dhe për të treguar se Kukësi e ka shansin e vet të madh pikërisht në këtë duel të parë. Kualifikimi duket shumë i vështirë, për më tepër që largimi i sulmuesit Pero Pejiç ka hapur probleme në repartin sulmues.
Dhe Kukësit i duhet të sforcohet shumë që të gjejë pasuesin e tij, apo të mbulojë boshllëkun që la kroati në mbrojtje. Shpresat e presidentit Safet Gjici janë varur tek trajneri brazilian Marcelo Troisi dhe lojtarët brazilianë që ai ka sjellë në radhët e nënkampionëve shqiptarë. Gjici ka kërkuar kualifikimin, duke vënë në dispozicion shpërblime të majme, por përballë Legias e dinë të gjithë se do të jetë shumë e vështirë.