AlbanianSport.com 06.04.2016 17:05
ASNN – Kupa e Shqipërisë zhvillon sot ndeshjet e para gjysmëfinale. Një duel i vështirë pritet të zhvillohet edhe në Vlorë. Flamurtari pret në fushën e vet Kukësin me ambicje të mëdha. Vlonjatët e shohin Kupën si mundësinë e vetme për të qenë të pranishëm në Kupat e Evropës.
Ndërsa për Kukësin, fitimi i Kupës së Shqipërisë është detyrim, kështu është shprehur presidenti i Kukësit, Safet Gjici. Kjo ndeshje luhet duke nisur nga ora 19:00 në Stadiumin “Flamurtari” në Vlorë. Kështu, Flamurtari-Kukësi dhe Laçi-Skënderbeu janë dy çiftet që do të sfidojnë njëra-tjetrën për të nxjerrë në fund dy ekipet finaliste.
Laçi, Flamurtari dhe Kukësi e shohin këtë veprimtari si një mundësi për të marrë pjesë në Kupat e Evropës, sepse fituesi i këtij trofeu merr pjesë në Ligën e Evropës. Laçi po pret në fushën e vet Skënderbeun, kryesues në kampionat. Një sfidë e vështirë kjo për laçianët që do të kërkojnë fitoren në fushën e tyre.
Kjo ndeshje, që ka nisur në orën 16:00, po përcillet për teleshikuesit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Pjesa e parë e kësaj sfide është mbyllur me rrjeta të paprekura, ndërsa ka folur më tepër për kurbinasit, të cilëve u është anuluar edhe një gol për pozicion jashtëloje.