AlbanianSport.com 21.11.2016 19:55
ASNN – Kukësi ka bërë një përmbysje të jashtëzakonshme ndeshjes së fundit të javës së 11-të të Kategorisë Superiore, teksa i ka rrëmbyer fitoren Teutës. Dy zëvendësimet e trajnerit Ernest Gjoka në pjesën e dytë e kthyen në favor të Kukësit takimin me Teutën në Durrës, që u mbyll me fitoren e verilindorëve me rezultatin 2-1.
Ekipi i trajnerit Gugash Magani udhëhoqi deri në minutën e 80-të, me një gol të shënuar që në fillim të pjesës së dytë nga Bangal. Në mungesë të Pero Pejiçit, që qëndroi në stol për shkak të dëmtimit, Gjoka e nisi takimin me Eminin në sulm, të mbështetur nga Greca dhe Dvornenkoviç, por pa dhënë rezultat.
Futja në fushë e Rengalit për Grecën dhe Lushtakut për Hasanin bëriu që Kukësi të shtonte presionin, duke shënuar dy herë brenda pak minutash. Ky sukses, i pari jashtë fushe në këtë kampionat për verilindorët, e mban Kukësin në krye të klasifikimit me pikë të barabarta me Skënderbeun.
Skuadra korçare fitoi të dielën 1-0 në fushën e vet ndaj Korabit. Fitore me të njëjtin rezultat arriti Tirana ndaj Laçit në Stadiumin e saj, “Selman Stërmasi” në kryeqytet. Ndërsa dy takimet e tjera të javës së 11-të të Superiore, Vllaznia-Partizani dhe Luftëtari-Flamurtari, u mbyllën në barazim 1-1. Javën e ardhshme, Kukësi pret Tiranën në Stadiumin “Zeqir Ymeri, ndërsa Skënderbeu udhëton në një fushë të vështirë si ajo e Laçit.