Adriatik Balla 12.05.2015 18:45
Gara për vendin e dytë në kampionat është shumë e fortë, pasi janë Kukësi, Tirana dhe
Partizani që e lakmojnë. Por përcaktuese për këtë pozitë në renditje është ndeshja e së shtunës në kuadër të javës së 35-të midis Kukësit dhe Tiranës, takim që luhet në “Zeqir Ymeri” të qytetit verilindor. Në këtë përballje Kukësi pritet të ketë mbështetjen e 5 mijë tifozëve.
Kjo është konfirmuar nga klubi verilindor, i cili beson se tifozeria do ta mbështesë maksimalisht skuadrën dhe Kukësi do të jetë i sigurt në vendin e dytë dhe në Ligën e Evropës, ende pa u luajtur finalja e Kupës së Shqipërisë, që është, gjithashtu, një tjetër mundësi për ekipin kukësian. Trajneri serb Radovanoviç ka në dispozicion grupin e plotë.
Ai është optimist, të paktën duke u mbështetur mbi atë që ka deklaruar gjatë këtyre ditëve, se gjithçka do të shkojë mirë, në mënyrë që të sigurohet objektivi. Kukësi luan finalen e Kupës së Shqipërisë më 29 ose 30 maj 2015 (pasi ende nuk është finalizuar data) ndaj Laçit dhe fituesi shkon në Ligën e Evropës, por jo çdo gjë mund të shkojë mirë.
Kështu që objektivi i pjesëmarrjes në veprimtarinë e dytë të klubeve të kontinentit mund të sigurohet dhe nga vendi i dytë ose i tretë në kampionat dhe Kukësi po tenton ta sigurojë që këtë javë ndaj Tiranës.