AlbanianSport.com 29/10/2021 21:35
ASNN – Kryeqytetasit bëjnë lojën, por verilindorët shënojnë golin që vlen 3 pikët dhe kreun. Kukësi ka mundur Dinamon 1-0 të premten, në ndeshjen që ka ngritur siparin e javës së 7-të të Kategorisë Superiore. Goli i vetëm i Bashës në pjesën e parë i ka mjaftuar Kukësit për të marrë fitoren minimale dhe merr 3 pikët që e ngjisin përkohësisht në krye, përkrah Tiranës. Kështu, takimi që ka ngritur siparin e javës së 7-të të Kategorisë Superiore ka vënë përballë Dinamon dhe Kukësin, i cili u luajt të premten në mbrëmje në Stadiumin “Arena Kombëtare”.
Në fakt, dueli ka nisur më mirë për Dinamon, pas vetëm 3 minutash lojë, kryeqytetasit provojnë me Çinedunë, i cili godet me një të majtë të fuqishme, por portieri i Kukësit, Tafas, ndodhet në pozicion. Skuadra e trajnerit Blendi Shkëmbi vijon të këmbëngulë dhe është e pabesueshme se çfarë humbet Agim Ibraimi në minutën e 14-të, teksa kapiteni gabon i vetëm para portieri mik, duke goditur fort, por topi përfundoi jashtë katërkëndëshit të Kukësit. Dinamo vijon të mbizotërojë në lojë, por nuk është e aftë ta shndërrojë këtë epërsi në gol.
Dhe, përkundër rrjedhës së lojës, është Kukësi që e bën një gjë të tillë. Në minutën e 28-të, Edi Basha merr një topi të gjatë nga mbrojtja dhe kroati mposht portierin Harizaj me një parabol mjaft të bukur, duke çuar në delir verilindorët. Megjithatë, do të duhen plot 4 minuta konsultim me Sistemin e Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), që gjyqtari Jorgji të bindet se sulmuesi i verilindorëve nuk ishte në pozicion jashtë loje dhe goli vlen. Ndeshja ka ndërruar rrjedhë dhe në minutën e 42-të, Ergys Peposhi godit bukur me të majtën, por topi përfundon mbi kuadratin e portës.
Me nervozizëm nga të dyja palët, teksa Jorgji ndëshkon me karton të verdhë Rimal Haxhiun dhe Gjelbrim Taipin pas një përplasje të këtyre dyve në mesfushë, mbyllen 45 minutat e para. Edhe ato të dytat nisin më mirë për Dinamon dhe, pas vetëm 3 minutash lojë, sulmuesi Çinedu bën gjithçka mirë, duke dribluar 4 kundërshtarë, por goditja e tij përfundon jashtë, fare pranë shtyllës horizontale. Kukësi do të vijojë ta administrojë lojën, ndërsa Dinamo është e paqartë dhe mund të ndëshkohej në minutën e 68-të.
Atëherë kur Basha rikuperon një top dhe kroati pason te Shqiprim Taipi që gabon krejtësisht, duke mos arritur ta shfrytëzojë aksionin për të vulosur rezultatin. 6 minuta më pas, Ibrahimi është në kuptimin e vërtetë të fjalës fare pranë golit, teksa topi i ekzekutuar nga një goditje e lirë gjen anën e gabuar të rrjetës së portës së Tafasit, që dëmtohet pas një përplasje të fortë me shtyllën. Megjithatë, gardiani i portës verilindore i shndërrohet në makth kapitenit dinamovit, duke e shpëtuar sërish Kukësin 7 minuta para fundit të kohës së rregullt.
Ai reagon menjëherë pas një goditje të Ibraimit, duke dërguar topin në goditje nga këndi. Në minutën e 89-të, i sapofuturi Daci bëhet menjëherë protagonist, teksa godet fluturimthi me të majtën, por pret portieri Harizaj. Përtej 5 minutave shtesë, që janë bërë 6 dhe kanë qenë të ethshme, Kukësi e mbron fitoren minimale dhe merr 3 pikët që e ngjisin përkohësisht në krye, përkrah Tiranës.