AlbanianSport.com 11.07.2015 18:50
ASNN – Kukësi është skuadra e vetme shqiptare, e cila u kualifikua për në turin e dytë të Ligës së Evropës, pasi arriti një barazim pa gola ndaj Torpedo Zhodino në Bjellorusi, ndërsa pati fituar 2-0 në ndeshjen e parë, në Stadimin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet.
Kukësianët janë njohur edhe me kundërshtarin e ardhshëm në turin e dytë të kësaj veprimtarie. Ata janë malazezët e Mlladostit të Podgoricës, që arritën të kualifikohen në përballjen me Njeftçin e Bakusë pas dy barazimesh. Ndeshja e parë mes dy ekipeve në Azerbajxhan kishte përfunduar me rezultatin 2-2.
Ndërsa mbrëmjen e së enjtes, malazezët arritën të kualifikohen pas një goli të shënuar nga Vukoviç në minutën e 91-të, duke barazuar rezultatin në 1-1. Kukësi do ta luajë ndeshjen e parë më 16 korrik 2015 në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, ndërsa ndeshja e kthimit do të luhet më 23 korrik në Malin e Zi.
Në letër, Mlladost Podgorica duket një kundërshtar i kalueshëm për Kukësin. Verilindorët bënë një paraqitje dinjitoze në turin e parë të veprimtarisë së dytë të kubeve të kontinentit. Megjithatë për të mësuar ekipin e kualifikuar na duhet të presim 23 korrikun, kur është edhe ndeshja e kthimit.