AlbanianSport.com 30/11/2018 14:10
ASNN – Klubi i Kukësit njoftoi sot se ka zgjidhur kontratën me mesfushorin Besar Musolli, një ndarje që është bërë me mirëkuptim mes palëve. Lojtari pësoi dëmtim serioz në ndeshjen ndaj Teutës, ku ishte njëherësh kapiten i grupit të skuadrës verilindore. Ky dëmtim me pasoja afatgjata, detyroi Kukësin të nxitonte të prishte kontratën me lojtarin dhe tani do të fokusohet në merkato për afrimin e një mesfushori tjetër cilësor.
Në fakt, nuk dihet se sa do të mungonte mesfushori pas atij dëmtimi, por mënyra se si shkruan Kukësi në njoftimin për shtyp duket se ai do të mungojë për një kohë të gjatë. Pra, palët u “divorcuan” sot me mirëkuptim, ndërsa vetë klubi verilindor shton në fund se dera për Musollin do të jetë e hapur. “FK Kukësi dhe Besar Musolli, ndërpresin marrëdhëniet me vullnet të plotë”, – shkruan njoftimi i plotë i KF Kukësit. – Mesfushori kosovar dhe klubi ynë, kanë arritur të ndërpresin marrëdhëniet me konsensus të plotë mes palëve.”
“29-vjeçari nga Podujeva nuk është aktivizuar për një kohë të gjatë me skuadrën tonë, për shkak të një dëmtimi duke e detyruar të jetë për një periudhë të gjatë larg fushave të blerta, – vijon më tej njoftimi. – Besar Musolli me fanellën e ekipit të Kukësit, arriti të bëhej lojtar profesionist duke marrë përsipër rolin e zëvendës kapitenit, duke i’u bashkuar edhe përfaqësueses së Kosovës. Gjithashtu, ai ka arritur të regjistrojë 223 ndeshje me skuadrën tonë.
“Duke arritur të fitojë titullin “kampion”, Kupën e Shqipërisë, Superkupën dhe duke kaluar në turin e katërt të Ligës së Evropës. Futboll Klub “Kukësi” i uron Besar Musollit shërim sa më të shpejtë dhe falënderon futbollistin për kontributin e dhënë me skuadrën tonë, ndërkohë që dera jonë do të jetë e hapur gjithmonë për të”, shkruhet në njoftimin e klubit”, – shkruhet në njoftimin për shtyp të Kukësit që sqaron në këtë mënyrë edhe zyrtarisht shkakun e “divorcit” me mesfushorin e përfaqësueses së Kosovës.