AlbanianSport.com 07/03/2021 14:35
ASNN – Ka patur një vazhdë me luhatje në 5 ndeshjet e fundit, ndonëse duhet theksuar se kundërshtarët kanë qenë të gjithë të gjysmës së sipërme të renditjes së Kategorisë Superiore. Dhe kjo e së hënës mund të mos jetë momenti i duhet për Kukësin, që ndeshet pasdite me Vllazninë, e cila gjithashtu kërkon të lërë pas vazhdën e saj negative.
Skuadra verilindore, e drejtuar tashmë nga trajneri Mirel Josa, ka vetëm një mungesë të sigurt në ndeshjen e sotme ndaj Vllaznisë, e cila do të zhvillohet në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, duke nisur nga ora 16:00. Mbrojtësi i majtë, Blerim Kotobelli, ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe nuk do të jetë i gatshëm për duelin me kuqeblutë shkodranë.
Sipas të gjitha gjasave, në vendin e tij do të luajë lituanezi Rolandas Baravikas, i cili edhe pse si rol të mirëfilltë ka krahun e djathtë të mbrojtjes, aktivizohet edhe në të majtë. Për këtë ndeshje rikthehet pas pezullimit për kartonë kapiteni Agim Ibraimi, i cili bashkë me sulmuesin Patrik Eze, janë golashënuesit më të mirë të kampionatit me nga 10 gola secili.
Trajneri Josa pritet të rreshtojë një ekip me skemën 4-3-3, ku të sigurt në qendër të mesfushës janë Demiri, Taipi dhe gjeorgjiani Tsintsadze. Gashi dhe Leiria janë në balotazh për një vend në krahun e majtë, por duket se braziliani është më i favorizuar për fanellën e titullarit.