AlbanianSport.com 24.08.2016 22:25
ASNN – Kukësi është fitues i Superkupës së Shqipërisë për vitin 2016. Skuadra verilindore ka mundur në finalen e zhvilluar në Stadiumin “Selman Stërmasi”, Skënderbeun, me rezultatin 3-1. Kukësi e fiton këtë trofe për herë të parë. Ndeshja e Superkukës, Kukësi-Skënderbeu, u transmetua drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Kështu, Kukësi shënon emrin në librin e artë të Superkupës së Shqipërisë. Nën drejtim e trajnerit të ri, Ernest Gjoka, skuadra veriore ka fituar për herë të parë këtë trofe duke mundur në finale Skënderbeun me rezultatin 3-1. Është presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ai që u dorëzon medaljet futbollistëve të Kukësit, e më pas kapitenit Hallaçi trofeun.
Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin Selman Stërmasi, Kukësi e nis mirë takimin duke kaluar në epërsi me anë të Dvornekoviçit, që realizon në minutën e 26-të. Vetëm dy minuta më vonë, rrezikon Zhunior për Skënderbeun. Por, në të 29-ën minutë është Fukui që shënon, duke vendosur barazpeshën në fushë. Dhe 45 minutat e para mbyllen me rezultatin 1-1.
Në fillim të pjesës së dytë, të dyja skuadrat kërkojnë të përfitojnë nga gabimet e njëra-tjetrës por është Kukësi që përfiton. Në minutën e 73-të, Emini shënon duke e kaluar Kukësin sërish në epërsi. Më pas është një “ish” i Skënderbeut, i rikthyer gjithashtu tek Kukësi, kroati Pero Pejiç, ai vulos rezultatin në 3-1 dhe skuadra e trajnerit Gjoka është në delir.