AlbanianSport.com 10.12.2016 18:00
ASNN – Pas ndeshjes së parë, të luajtur të premten, ku Teuta dhe Skënderbeu janë ndarë me rrjeta të paprekura, java e 15-të e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit dhe sot pasdreke janë luajtur dy ndeshje të tjera. Dhe një gol i shënuar nga Izair Emini në pjesën e parë, i ka mjaftuar Kukësit për të marrë 3 pikët në ndeshjen ndaj Flamurtarit, duke u ngjitur i vetëm në krye të renditjes së nivelit më të lartë të futbollit shqiptar.
Në Stadiumin “Zeqir Ymeri” janë vendasit që bënë një ndeshje të mirë, por ndaj Flamurtarit fitorja nuk erdhi edhe aq lehtë. Pas golit të shënuar në minutën e 23-të nga futbollisti shqiptar nga Maqedonia, Flamurtari bëri përpjekje për të gjetur barazimin, por për vlonjatët, të shënonin në portën e kukësianëve rezultoi një mision i pamundur. Me këtë fitore, Kukësi ngjiten në kuotën e 31 pikëve, dy më shumë sesa Skënderbeu, që një ditë më parë u ndal në një barazim pa gola në Durrës ndaj Teutës.
Ndërkohë, Luftëtari i Gjirokastrës bëri suprizën në këtë javë të Kategorisë Superiore duke fituar me rezultatin 2-3 në Stadiumin “Loro Boriçi” ndaj Vllaznisë vendase. Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll në barazim 2-2, ndërsa në 45 minutat e dyta ishte Faife autor i golit që i dha 3 pikë mjaft të rëndësishme gjirokastritëve. Dy ndeshjet e tjera të kësaj jave, Tirana-Korabi dhe Partizani-Laçi, kanë nisur të luhen në ora 17:00, përkatësisht në kryeqytet dhe në Elbasan.