Adriatik Balla 29.07.2015 11:35
Një nga brazilianët e shumtë të ardhur këtë verë tek Kukësi, Felipe Moreira, thotë se gjendet në radhët e nënkampionëve tanë për të treguar vlerat e tij dhe është i bindur se Kukësi do të arrijë shumë suksese në sezonin e ri. “Grupi jonë është një grup i bashkuar, jemi përshtatur shumë mirë, jo vetëm ne brazilianët me njëri-tjetrin por edhe me futbollistët shqiptarë që janë pjesë e Kukësit”, – ka thënë ai.
“Unë jam i bindur se ndeshje pas ndeshjeje ne do të përmirësohemi akoma edhe më shumë dhe do të përpiqemi të bëjmë një paraqitje të mirë edhe ndaj Legias, – ka vijuar braziliani. – Nuk e shikoj si një mrekulli kalimin e turit të tretë, e shoh më shumë si një shpërblim për punën që po bëjmë. Ne jemi duke u përgatitur fort dhe besoj se i kemi mundësitë për t’u rritur akoma edhe më shumë si grup.”
“Prajndaj jemi duke tentuar ndoshta edhe kualifikimin në dy përballjet kundër Legias së Varshavës”, – shtoi Felipe Moreira, i cili beson se te Kukësi është bërë një ndërthurje e mirë mes lojtarëve shqiptarë dhe atyre brazilian dhe të gjithë së bashku mund të zhvillojnë një sezon pozitiv. “Dëshira ime për të debutuar në kampionatin shqiptar është shumë e madhe dhe mezi po e pres këtë çast”, – ka thënë ai.
“Unë mendoj se futbollistët shqiptarë që kemi në ekip janë shumë të kualifikuar dhe mendoj se mund të zhvillojmë një kampionat pozitiv. Objektivi ynë është të ndihmojmë skuadrën të arrijë objektivat dhe ne brazilianët së bashku me lojtarët shqiptarë besoj se mund të shkojmë shumë larg”, – përfundoi Felipe Moreira, një nga brazilianët e shumtë të ardhur këtë verë tek Kukësi.