AlbanianSport.com 07/03/2021 22:45
ASNN – Në varësi të këndvështrimit, ai barazim 1-1 në “Loro Boriçi” përballë Vllaznisë vendase, që humbi edhe një 11-metërsh, mund të quhet me fat, por për Mirel Josën, atë që i munguan Kukësit ishin goditjet në portë. Në një lidhje direkte me “E HËNA SPORTIVE” në RTSH, trajneri i Kukësit ka analizuar barazimin me Vllazninë, duke u shprehur kënaqur me paraqitjen e të besuarve të tij. Trajneri i verilindorëve ka theksuar se ajo që i mungoi skuadrës së tij në këtë sfidë ishte goditja në drejtim të portës kundërshtare.
Skuadra prodhoi lojë dhe u shfaq rrezikshëm në 20 metrat e fundit, por sipas Josës, duhet të kishte guxuar më shumë, duke goditur në drejtim të portës kundërshtare. “Nuk mendoj se barazimi me Vllazninë ishte një hap i gabuar, – ka thënë ai. – Ishte një ndeshje që i kishte të trija rezultatet brenda. Ashtu siç mund të kishim kaluar në avantazh në pjesën e parë, apo në fund me Ezenë, ashtu dhe mund ta kishim humbur ndeshjen, qoftë dhe me penalltinë që humbi Vllaznia. Mund të them se skuadra zhvilloi një lojë të mirë si në fazën mbrojtëse, ashtu dhe në qarkullimin e topit.”
“Por gjëja që i mungoi skuadrës time në këtë ndeshje ishte goditja e portës, – ka vijuar trajneri kryeqytetas. – Dolëm në pozicion për të goditur portën, në një pozicion 20 metra apo dhe më afër, por hezituam. Duhet të godisnim, sepse futbolli një moment është, mund të kthehet situata në favorin tënd, siç mund të kthehej dhe kundër nesh në momentin e dy rasteve që humbi Vllaznia në 20 minutat e fundit. Sidoqoftë, nuk duhet të harrojmë se luajtëm me kryesuesen e kampionatit, një skuadër që kishte pretendimet e saj për ndeshjen, duke parë dhe rezultatet e tjera, si dje, ashtu dhe sot.”
“Sigurisht që Vllaznia ka patur problem, por edhe ne kemi problemet tona, – ka theksuar Josa. – Nuk mund të luash në çdo ndeshje me të njëjtin ritëm, duke qënë se edhe javës që shkoi kishim një ndeshje të rëndësishme, luajtëm kundër Laçit. Por mua më pëlqeu skuadra, sepse kishte ekuilibër, qoftë kur kishte topin në zotërim, por edhe kur e humbisnim atë. E thashë edhe më parë, ajo që na mungoi sot ishte goditja në drejtim të portës kundërshtare, duhet të kishim goditur shumë më tepër.”