AlbanianSport.com 31.07.2015 14:25
ASNN – Ekipi i Kukësit duket se do t’i japë parakohe lamtumirën Ligës së Evropës. Kjo për shkak të dhunës së tifozëve gjatë pjesës së dytë të takimit të luajtur në “Qemal Stafa” ndaj Legia-s së Varshavës. Goditja e një lojtari të ekipit polak me send të fortë në kokë solli ndërprerjen e ndeshjes dhe më pas u mor vendimi për pezullimin përfundimtar të takimit.
Tashmë do të jetë Komisioni i Disiplinës së UEFA-s që do të vendosë për fatin e këtij takimi. Gjatë sezonit 2013/2014 të Ligës së Evropës, Kukësi është dënuar dy herë në UEFA për shkak të sjelljes së dhunshme të tifozëve, për shkak të hedhjes së shisheve dhe fishekzjarrë në fushë gjatë takimit me Sarajevën dhe Metalurgun e Donjeckut, ku Kukësi u dënua me 27 mijë euro gjobë.
Ndërsa në sezonin 2014/2015 u dënua sërish për ndeshjen e luajtur ndaj ekipit të Kazakistanit, Kairat Almaty, po për dhunë në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, ku u dënuan me 10 mijë euro gjobë. AlbanianSport.com po ju sjell më poshtë fotot nga çaste të ndryshme të trazirave në ndeshjen e djeshme, në mënyrë që ju të gjykoni vetë mbi atë që ndodhi mbrëmë në kryeqytet.