AlbanianSport.com 17/03/2021 20:35
ASNN – Kukësi ka humbur edhe “trenin e fundit” për të shkuar në Evropë, teksa është eliminuar nga Teuta, në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë. Verilindorët e Mirel Josës, u mposhtën me rezultatin 1-0 në “Niko Dovana”, falë golit të realizuar nga Emiljano Vila në minutën e 10-të me kokë. Pas sezonit për t’u harruar në kampionat, skuadra e Kukësit, regjistroi të mërkurën edhe dështimin e radhës… Verilindorët ishim mësuar t’i shikojmë si një skuadër solide dhe pretendente.
Një skuadër që nuk e ka vënë asnjëherë në pikëpyetje pjesëmarrjen në Kupat e Evropës për sa kohë militojnë në elitën e futbollit shqiptar, por situata tashmë duket kaotike. Dhe, pas ndeshjes, trajneri i verilindorëve, Mirel Josa, u shfaq i mërzitur, duke thënë për mediat se problemi i skuadrës ishin krahët, që nuk sulmuan aq sa duhej. “Skuadra kishte dëshirë për të fituar ndeshjen, – ka deklaruar 57-vjeçari. – U ndëshkuam shumë shpejt, pavarsisht se i kishim parashikuar lëvizjet e kundërshtarit.”
“Nuk ishim të mirë në komunikim te rasti i Bregut, – ka vijuar kryeqytetasi i stolit të verilindorëve. – Skuadra u mundua më pas, kishim dy raste në pjesën e parë, ku në të dyja rastet Frashëri ishte i saktë duke mbrojtur portën. Në pjesën e dytë u munduam të luanim, edhe Teuta na la hapësira deri diku, por nuk ia dolëm. Nuk mund të them se përpjekja e skuadrës nuk ishte e plotë, përkundrazi, por kështu është futbolli. Unë në këto momente, nuk i vë faj të dy sulmuesve.
“Normal që duhet të ishin më të saktë, por edhe lojtarët e tjerë, të dy krahët duhet të punojnë më mirë, – ka theksuar ai. – Taipi për mendimin tim bëri një lojë të mirë për sa i përket organizimit, por në zonën e kundërshtarit nuk ishim të saktë. Gjuajtjet nga larg? Finalizimin nuk e presim vetëm nga Eze dhe Ibraimi. Eze doli në dy raste me portën dhe kishte mundësinë për të shënuar. Por, ne duhet të shkojmë nga të dyja krahët, duhej më shumë prezencë në zonën e Teutës.”
“Ky është një problem, që nuk po shfaqet tani, por është shfaqur edhe më parë, pasi të dy krahët rrinë shumë larg, – ka pohuar Josa. – Eze duhet të ishte shumë deçiziv. Logjika e lojës u prish me futjen e Kuperit përpara. U munduam të luanim me Kuperin si pykë dhe me topat e gjatë nuk ishim shumë mirë. Unë nuk i druhem fraksionit negativ të skuadrës. Ajo është ndërtuar që në fillim kështu. Lojtarët duhet të marrin më shumë përsipër.”
“Personaliteti i lojtarëve nuk formohet rrugës, por formohet që në fillim të kampionatit. Është një goditje eliminimi nga Kupa, pasi edh në kampionat jemi larg Evropës. Ne do i luajmë me prestigj të gjitha ndeshjet në vijim”, – ka përfunduar trajneri i Kukësit, Mirel Josa.