Adriatik Balla 01.08.2015 19:50
Kukësi nuk pajtohet me vendimin e gjyqtarit për ta ndërprerë ndeshjen kundër Legias së Varshavës, prandaj po përgatit dosjen me argumente për mbrojtje para komisionit disiplinor të UEFA-s. Shefi i klubit, Jonuz Hallaçi zbulon për mediat hapat që do të ndiqen në instancat e UEFA-s ku do të vendoset për fatin e ndeshjes dhe klubit verilindor pas episodeve të pakëndshme që u regjistruan mbrëmjen e së enjtes në “Qemal Stafa”.
“Vazhdojmë punën për grumbullimin e materialeve për provat juridike dhe ligjore për të kundërshtuar me forcë vendimin arbitrar të gjyqtarit të ndeshjes, i cili nuk ndoqi hapat e rregullores së futbollit”, – tha ai. – Do të bëjmë të pamundurën që të kopsitim një dosje të plotë.” Për klubin kukësian gjithçka është e qartë, ishte gjyqtari kryesor Stefan Klosner ai që vendosi ndërprerjen e ndeshjes. Sipas Hallaçit, ai nuk mori parasysh asnjë propozim të bërë nga ana e klubit shqiptar, duke marrë një vendim deri diku abstrakt.
“UEFA ka dërguar sinjale për të vazhduar takimin, – ka vijuar Hallaçi. – Gjyqtari shfaqi dyshime për ecurinë e ndeshjes që në pjesën e parë. Vendimin përfundimtar e mori ai, duke mos marrë parasysh garancinë që i dhamë ne për të zbrazur stadiumin.” Pika më e fortë e mbrojtjes do të bazohet në faktin se asnjë tifoz nuk hyri në fushë për të rrezikuar vazhdimësinë e ndeshjes, ndërsa Hallaçi thekson se sjellja e tifozëve polakë ishte jokorrekte.
Për të, ky është një skenar i parapërgatitur nga segmente që dëshironin destabilizimin e situatës. “Askush nga ne nuk provokoi i pari, madje këtë e bënë tifozët dhe lojtari serb që shënoi golin, – ka pohuar zyrtari kukësian. – Nuk përjashtoj edhe një pjesë të vogël të tifozerisë së Kukësit që ranë pre e provokimeve dhe kontribuuan që skuadra jonë të ndëshkohet. Ata tifozë nuk kishin lidhje me Kukësin. Duda ndërroi fanellën dhe ishte gati për të luajtur dhe këtë e panë të gjithë.”
Hallaçi shton më tej se Kukësi do të kërkojë përsëritjen e ndeshjes ose vazhdimin e saj në minutën ku u ndërpre, ndërsa nënvizoi faktin se kjo ngjarje mund të ndikojë në të ardhmen e klubit, pasi presidenti Safet Gjici do të rishikojë pozicionin e tij në krye të Kukësit. “Personi që është prekur më shumë nga ajo shfaqje është presidenti Gjici, – yja Hallaçi. – Ai ndodhet në një pozicion të tillë që do të rishikojë pozicionin e tij në përfundim të vendimit të UEFA-s. Mund të marrë një ekip me më shumë emër.”