Gjergj Vyshka 13.01.2016 07:55
Blindohet përsëri sulmi i verilindorëve, ndërsa deri më dje ka pasur edhe dyshime se lojtarët nuk do të vijnë. Sekretari i klubit verilindor, Jonuz Hallaçi, sqaron: Flores me leje në Brazil. Sot do të vijnë si Lima, ashtu dhe Flores”. Kështu ka konfirmuar për gazetën “Sport Ekspres”, shefi i klubit të futbollit të Kukësit, Jonuz Hallaçi, ndërsa verilindorët kanë thuajse një javë që janë duke u përgatitur në Ulqin për pjesën e dytë të garës. Në fakt ka pasur dyshime për të dy lojtarët, edhe sepse për Limën ëshë folur se mund të jetë i panevojshëm për ekipin.
Madje ka pasur dyshime edhe për Flores, të cilin ditë më parë verilindorët e kishin shpallur të panevojshëm, edhe sepse futbollisti ishte vonuar të kthehej nga pushimet e dimrit në Brazil. Por gjërat dje kanë ndryshuar, ndërsa si Lima, ashtu dhe Flores do të jenë përsëri pjesë e skuadrës së Klodian Duros dhe Hasan Likës. Që do të thotë se përsëri sulmi i verilindorëve do të jetë e përbërë nga brazilian. Ajo që duhet theksuar është fakti se Kukësi përgjatë pjesës së parë të sezonit është shfaqur një skuadër shtëpie, atje ku brazilianët kanë qenë vendimtar në fitoret e kësaj skuadre.
Pa thënë që të ardhur në verë në dy kalimet e tureve në Ligën e Evropës me Torpedon e Belaz Zhodinos dhe Mlladostin e Podgoricës kanë qenë të suksesshëm, paçka se në fazën mbrojtëse, të paktën për Evropën, kanë shfaqur probleme, sepse vetëm sulmonin e nuk ktheheshin. Por duke ardhur dhe duke u alternuar më mirë me skuadrën e sot Kukësi deklaron se Lima dhe Flores do të jenë përsëri pjesë e verilindorëve, ndërsa do t’i bashkohen skuadrës sot në Ulqin. Mateus Lima Kruz për Kukësin gjatë këtij sezoni ka luajtur 11 ndeshje dhe ka shënuar gjashtë gola.
Përgjatë karrierës së tij ka qenë i aktivizuar tek Gremio Baruen, Sport Baruen, Sport Resife, Guarani FC, Luverdense, Operano Ferroviano. Ndërkohë Erik Flores në sezonin e tij të parë për verilindorët ka luajtur në tetë ndeshje dhe ka shënuar 2 gola. Karrierën e ka nisur tek Flamengu për të vijuar më pas me Ceara, Nautiko, Boavista, Dukue de Kasias, Itumbiara, Avrai, përsëri Boavista, ABC, Sao Bernardo, Fortaleca. Përtej karrierës, shifrat e aktivizimit të tyre me Kukësin dhe golat e shënuar i bëjnë vendimtar dhe të domosdoshëm për verilindorët, të cilët kanë pranuar t’i kthejnë.
Dhe sot ata do të jenë në Ulqin me verilindorët.