Adriatik Balla 22.05.2015 07:05
Presidenti i klubit kukësjan do gjyqtarë të huaj për finalen e Kupës së Shqipërisë, preferon ndonjë gjerman. Kukësi ka hedhur dyshime të forta për sjelljen e gjyqtarëve në futbollin tonë dhe indirekt ky dyshim dhe ky mosbesim i adresohen Federatës Shqiptare
të Futbollit. Presidenti i klubit kuksian, Safet Gjici, ka kërkuar gjyqtar të huaj për finalen e Kupës së Shqipërisë që do të luhet midis Kukësit dhe Laçit në fund të majit.
Gjici pretendon se “xhaketat e zeza” shqiptare nuk preferohen për shkak të sjelljeve të njëanshme në fushë dhe i trembet ndonjë “marrëzie” të bilbilave vendas, prandaj ka kërkuar me shkrim në FSHF gjyqtar të huaj, me bindjen se kjo finale meriton më shumë respekt dhe vlerë në aspektin e gjykimit. Pasi siguroi pjesëmarrjen në Ligën e Evropës, sezonin e ardhshëm, për të tretin vit radhazi, Kukësi ka një tjetër objektiv për të arritur.
Ky objektiv është fitimi i Kupës së Shqipërisë për herë të parë në histori. Këtë trofe prestigji presidenti Safet Gjici e kërkon me çdo kusht, ndaj dhe skuadra e drejtuar nga Serbi Miodrag Radanoviç po punon me intensitet për të qenë në formë maksimale në përballjen me Laçin në fund të këtij muaji. Shqetësimi i vetëm i Gjicit për këtë finale mbetet gjykim.
Ndaj numri një i nënkampionëve të Shqipërisë i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Federatës Shqiptare të Futbollit që Kukësi-Laçi të gjykohet nga një trupë e huaj gjyqtarësh. Madje në këtë kërkesë të Kukësit specifikohet që mundësisht të jetë një gjyqtar gjerman. Në bazë të rregullores së FSHF-së, shpenzimet për të sjellë në Shqipëri, gjyqtarët e huaj duhet të mbulohen nga klubi që bën kërkesën, në rastin konkret nga Kukësi.
Që nga viti 2003 janë katër finale të Kupës së Shqipërisë që janë gjykuar nga bilbila të huaj, në dy raste kanë qenë italianë, pikërisht Paparesta dhe Farina, në një finale gjermani Rafati dhe së fundmi në vitin 2010, slloveni Ceferin.