AlbanianSport.com 29/01/2019 13:30
ASNN – Presidenti i Kukësit Safet Gjici, shquhet për lëvizjet e tij të paparashikuara, sidomos kur një çështje nuk i shkon sipas terezisë. Dhe duket se Rexhinaldo, sulmuesi mozambikas i ekipit verilindor, është një çështje në këtë moment. Duke qenë se në skuadër është afruar Vasil Shkurtaj, mozambikasi e ka parë veten të tepërt, pasi vlonjati është titullar dhe i ka rrëmbyer pozitën në formacion, më saktë pozicionin natyral në fushë. Rexhinaldo nuk shihet më si zgjidhje e parë e sulmit, por si i dytë.
Dhe kjo nuk i ka pëlqyer dhe ai tregohet agresiv, bën gjeste mospajtuese dhe tensionon trajnerin Armando Cungu. Në këto rrethana, nisur dhe nga barazimi i ndeshjes së fundit me Laçin, Gjici nuk e përtyp dot që një lojtar hedh “shqelma”, për pasoja e ka degdisur Rexhinaldon tek skuadra B e Kukësit. Lëvizja është shenjë pezullimi pa afat për mozambikasin, i cili, pasi të mbarojë fazën e “riedukimit” do të ketë mundësinë të kthehet në ekipin e parë.
Sipas mediave sportive të ditës, në një vendim të dytë Rexhinaldo do të rikthehet sërish me skuadrën e parë dhe do të jetë po vetë Safet Gjici ai i cili do ta rikthejë atë në gjirin e ekipit të Cungut. Në fakt, pezullime të tilla kishin ndodhur më parë, në fillim të sezonit, me Et’hemin, Çyrbjen apo dhe Shkodrën, të cilët përfunduan tek Kukësi B, si masë penalizuese për shkelje të rregullave, porn ë fakt më shumë se thyerja e rregullave është “fiksimi” i presidentit se ata nuk kanë përmbushur objektivat.
Si pasojë e një sjelljeje të tillë, Donjet Shkodra vendosi madje të largohet nga Kukësi, me “mirëkuptim” dhe kur u pa se do të zbulohej një skandal klubi i Kukësit doli me një qëndrim dashamirës, ku thuhej se Shkodra shkonte në Kosovë për rikuperim, por mbetej pjesë e skuadrës dhe do të kthehej sërish. Sa herë që Gjicit nuk i ecin rezultatet, ka lojtarë që shihen fajtorë dhe në momente nervoziteti merren edhe vendime të tilla penalizuese.
Megjithëse, çështja e Rexhinaldos duhet parë e pashkëputur nga rivaliteti i tij me afrimin e kësaj merkatoje dimri, Vasil Shkurtaj, i cili erdhi në ekipin verilindor nga gjirokastritët e Luftëtarit.