AlbanianSport.com 23/12/2020 22:45
ASNN – Ndryshe nga homologu i tij kryeqytetas, Nevil Dede, që e cilësoi barazimin rezultat të drejtë, trajneri i Kukësit Skënder Gega u shpreh i pakënaqur pas barazimit 0-0 me Tiranën. “Jam i mërzitur, – ka pohuar ai. – Çdo ekip që bën atë volum loje, atë paraqitje, të vjen keq të mos fitosh. Më bën optimist kjo paraqitje, por duhen pikët në fund, më erdhi keq në fund, por shpresojmë t’i kompensojmë pikët.”
Ai është pyetur edhe për golin e anuluar të Ezesë. “Besoj se lojtari i Tiranës ka qenë më mbrapa se Ezeja, – ka thënë kreu i stolit të verilindorëve. – Ishin gjashtë gjyqtarë, që duhet ta kishin parë më me qetësi. Gjyqtari anësor ka qenë me pak vonesë në ndjekjen e aksionit. Unë s’kam bërë protestë, por stoli reagoi, ndonëse unë doja të përqendrohesha te ndeshja.”
“Unë mendoj se luajtëm kundër Tiranës, jo për t’i dhënë superlativa barazimit, – ka vijuar Gega. – Është e vështirë të bësh 90 minuta të njëjtin ritëm. Jam i kënaqur që ekipi nuk u dorëzua. Por mund të ndëshkoheshim. Ishte shumë pozitive shtylla dhe goli, ju e keni parë disa herë. T’i lëmë nesër për të analizuar. S’dua t’i rëndoj gjyqtarët. Kur nuk është e qëllimshme, për mua është diçka pozitive.”
“Nuk mund të japim ngjyra, vërtet nuk e pashë se isha diagonal me gjyqtarin e 4-t, – ka këmbëngulu trajneri i Kukësit duke iu referuar golit të anuluar. – Pas ndeshjes e kam parë rastin e Ezesë shumë i qetë.” Sidoqoftë, trajneri vlerëson faktin se Kukësi i tij ishte më i guximshëm në lojë. “Secili sheh shtëpinë e vet, unë s’mund t’i bëj analizë Tiranës”, – ka pohuar ai.
“Herën e parë kemi bërë paraqitjen më të dobët unë dhe ekipi. Respektoj historinë e Tiranës. Nuk e mbivlerësova Tiranën, ishim të kujdesshëm. Punuam gjithë javës, mund të ndëshkohesh një moment të caktuar. Kemi qenë të kujdesshëm. Pjesën e parë luajtëm me 3, meritonim më shumë për sa i përket lojës”, – përfundoi trajneri i Kukësit, Skënder Gega.