AlbanianSport.com 20/01/2019 15:40
ASNN – Zien tek Kukësi, Shkurtaj e Rexhinaldo nuk shkojnë bashkë, e pranon dhe Cungu. Trajneri i Kukësit, Armando Cungu, ka pranuar për herë të parë hapur pas 20 ditësh merkato se sulmuesi mozambikas Rexhinaldo nuk shkon mirë me prurjen e re të kësaj merkatoje, Vasil Shkurtajn. Ishte përfolur prej ditësh se ka një problem mes Rexhinaldos e Shkurtajt, sepse mozambikasi po e sheh veten të tepërt, por me deklaratën e Cungut mund të besohet se afrikani mund edhe të largohet gjatë këtyre ditëve.
Madje Cungu i ka dhënë një përgjigje edhe presidentit Safet Gjici, pas mbledhjes plot “ultimatum” ku kërkohet me çdo kusht titulli. Cungu tha se titullin më shumë nga të gjithë e do trajneri, sepse Gjici e ka provuar njëherë, kurse trajneri shkodran nuk e ka provuar ende. Në fillim Cungu foli për ndeshjet e radhës, në kampionat e Kupë. “Kampionati është i gjatë, kemi edhe Kupën në mes, – u shpreh Cungu për mediat sportive, – mund të kemi situate që mund të ndodhë që të jenë të dy, por për momentin nuk e shoh të mundshme.”
Më pas vjen komenti për qëndrimin e mozambikasit Rexhinaldo, i shndërruar tek Kukësi në një “minë me sahat”. “Nuk mund të merrem me “Instagramin” apo “Facebookun”, me postime sportistësh apo individësh, kushdo qofshin ata, – shtoi më tej shkodrani i stolit të skuadrës verilindore, – nuk mund të më vendosë askush kushte, nuk mund të më bëjnë presion. Nëse gjendet një zgjidhje mes klubit dhe sportistit, jam i detyruar ta mirëpres. Duhet të dimë diçka: një futbollist, kur firmos një kontratë në fillim të sezonit, nuk ndodh në asnjë vend që të jetë shkruar në kontratë se duhet të jetë medoemos pjesë e formacionit titullar.”
Në fund, një analizë e kujdesshme në vetëm pak fjalë, ku argumenti se shumë cilësi ndonjëherë sjell dëme (përplasja Rexhinaldo-Shkurtaj), merr vlerë dhe në fjalët e Cungut. “Sa më shumë lojtarë, aq më mirë është, por ndonjëherë kthehen kundër. Nëse merr lojtarë shumë të mirë, krijohen situata të tilla, sepse të gjithë duan të luajnë. Më shumë sa e dëshiroj nuk e dëshiron njeri titullin kampion, ndoshta edhe më shumë se Gjici, sepse ai e ka provuar një herë”, – përfundoi komentin e tij për mediat sportive trajneri i Kukësit, Armando Cungu