AlbanianSport.com 11/11/2018 12:55
ASNN – Kukësi ndeshet të hënë me Teutën, një kundërshtar që për trajnerin Armando Cunga ka ardhur në rritje. Fjalëve të trajnerit u ka bërë jehonë edhe futbollisti Valon Ethemi. Për trajnerin e verilindorëve, mungesa e një stadiumi është shndërruar në një problem për Kukësin. Vetë trajneri e pohon se skuadra e tij nuk është ende aty ku duhet.
Kukësi-Teuta do të përplasen nesër në kryeqytet në kuadër të ndeshjes së fundit të javës së 13-të të Kategorisë Superiore. Është një ndeshje ndërmjet rivaleve direkte për vendin e tretë në renditje. Natyrisht, edhe pse Kukësi është pritës në këtë takim, ai i zhvillon ndeshjet jashtë fushës së tij dhe këtë sezon ka qenë vazhdimisht me “çanta në krahë”.
Trajneri Armando Cungu, e cilësoi mungesën e një stadium fiks për të luajtur ndeshjet si një prej dobësive më të mëdha të ekipit këtë sezon, madje Cungu la të kuptuar se ndryshimi i shpeshtë i stadiumeve i kishte sjellë shqetësime dhe mangësi deri në mos arritjen e objektivave. Pavarësisht se duket i ekzagjeruar ky konstatim, është fakti evident që Kukësi po vuan për një fushë ku të luajë ndeshjet e veta si pritës.
Në Shkodër dhe në Elbasan nuk e lë Kombëtarja, në Kamzë nuk e lë klubi vendas, kurse në Tiranë fusha është pa ndërprerje në punë, pasi aty luajnë Tirana, Partizani dhe shpesh ekipet kombëtare të moshave. “Na prish punë ndërrimi i stadiumeve, – u shpreh Cungu në konferencën e zakonshme për shtyp ditën e sotme, – kur nuk ke stadium, është mungesë jo e vogël.”
“U konfirmua që do të luajmë në Tiranë dhe kërkoj mbështetje nga tifozët, pasi dy javët e fundit kanë qenë më të shumtë”, – ka shtuar ai. Problemi i dytë serioz që sheh Cungu në krye të Kukësit, ka të bëjë me mungesën e dublimit të roleve, pra mungesë lojtarësh cilësorë. Sipas tij, vetëm krahët janë mirë, por pozicionet e tjera kanë mangësi. “Me shumë qetësi dhe respekt për të gjithë, nuk kanë qenë “double””, – vijoi Cungu.
“Por kanë qenë shterpë, – ka vijuar shkodrani i stolit të verilindorëve. – Krahu ka qenë super, por jo më tepër. Nuk dua të kujtoj apo të gjej justifikime që ishte kjo apo ajo. Duhet të dalim nga kjo situatë dhe të ngrihemi në renditje.”