AlbanianSport.com 10/01/2019 15:00
ASNN – Kukësi humbi duelin miqësor me Instanbul Bashakshehir në Antalia, atje ku po zhvillon fazën përgatitore, por në tërësi paraqitja e skuadrës kukësiane ka qenë e mirë dhe vetë trajneri Armando Cungu e ka vlerësuar pozitivisht paraqitjen e lojtarëve të tij. madje tekniku shkodran i skuadrës verilindore beson se një paraqitje e tillë është dëshmi në rritje e grupit.
Dhe kjo i jep besim për vazhdimësinë dhe për të realizuar objektivin kryesor, pra titullin “kampion”. “Të them të drejtën jam i kënaqur me lojën e djemve, – u shpreh Cungu pas takimit me Instanbul Bashakshehir, – duke pasur parasysh që është një ekip i vendit të parë me diferencë dhe yje botëror. Nuk ishte e lehtë, por luajtëm me dinjitet dhe jam i kënaqur si në aspektin fizik e atë taktik.”
“Si ndeshje e parë jam i kënaqur, – shtoi shkodrani i verilindorëve në deklaratën e tij, – por duhet të punojmë akoma shumë fort dhe t’i japim mundësinë për të zbritur në fushë çdo sportisti. Jam i kënaqur nga të gjithë dhe kjo më gëzon e më kënaq dhe me jep premisa e shpresa për të qenë i gatshëm për kampionatin.” Kukësi mban vendin e dytë në Kategorinë Superiore, me 34 pikë, vetëm 3 pikë më pak se Partizani i vendit të parë.
Pra, gara për titullin është plotësisht e hapur dhe trajneri Armando Cungu ka arsye të plota të besojë se ekipi i tij, me përforcimet që bëri, sidomos me afrimet e Rrocës dhe Shkurtajt që i mori nga Luftëtari i Gjirokastrës, mund të shkojë drejt fundit të garës në vend të parë.