AlbanianSport.com 14/01/2019 21:10
ASNN – Cungu i entuziazmuar nga fushata turke, për herë të parë shpreh besim për rezultate dhe titull. Trajneri Armando Cungu është shfaqur i entuziazmuar nga fushata turke me Kukësin e tij, ku ka bërë një fazë përgatitore mjaft të goditur, me testime fizike e tekniko-taktike të gërshetuara, si dhe me disa ndeshje miqësore që do të thonë shumë për ambiciet në vazhdim të Kukësit, pasi dihet që ekipi verilindor është pretendent për titullin.
Për herë të parë Cungu shprehu interes për rezultatin në këto miqësore, pasi pikërisht të hënën Kukësi fitoi 2-0 ndaj kazakëve të Shahtjorit të Karagandit, ku edhe një herë shkëlqeu Çyrbja, një zbulim golash në fushatën turke. Vetë Cungu tha se, në ndeshjen e fundit, përveç lojës u luajt edhe për rezultat, pasi me këtë ritëm do të luhet në kampionat ndaj rivalëve për titull. “Normalisht ekipi tregoi rritje nga ndeshja e parë”, – theksoi Cungu për faqen zyrtare të klubit në Internet.
“Natyrshëm që, përveçse objektivi kryesor, që është për të parë gjendjen e ekipit dhe për të konsoliduar sa më shumë ekipin, në fakt kërkuam edhe rezultatin në këtë ndeshje se tani jemi në prag, shumë afër fillimit të gjysmës së mbetur të sezonit, – ka vijuar shkodrani i stolit të verilindorëve. – Kështu që natyrshëm duhet të jemi cinik jo vetëm për lojën, por edhe për kërkimin e rezultatit. Gëzohem jo vetëm nga loja, por tani edhe nga rezultati.”
Në fushatën përgatitore turke, Kukësi ka zhvilluar atje 3 miqësore, duke humbur të parën 2-1 përballë Bashakshehirit, duke barazuar të dytën 1-1 me Rostov e duke fituar të tretën të hënën, 2-0 ndaj Shahtjorit të Karagandit. Pra Cungu po synon të fitojë titullin dhe, me afrimet që ka bërë së fundmi, ka premisa të mëdha të fitojë trofeun. Ardhja e Shkurtajt, Rrocës e së fundmi dhe Xhemailit e rrisin ndjeshëm forcën e Kukësit dhe e afrojnë me objektivin e tij madhor sezonal.