AlbanianSport.com 23.02.2014 19:55
ASNN – Ndeshja përmbyllëse e javës së 23-të të Kategorisë Superiore të KampionatitKombëtar të Futbollit, Skënderbeu-Kukësi, është mbyllur në barazim 1-1. Për korçarët ka shënuar Abazi, ndërsa për miqtë barazon Zeqiri me 11-metërsh. Pas këtij barazimi, Kukësi vazhdon të ruajë vendin e parë në renditje, me 48 pikë.
Java e 23-të e Kategorisë Superiore është mbyllur me ndeshjen Skënderbeu-Kukësi, e cila ka përfunduar me rezultatin e barabartë 1-1. Në një atmosferë të shkëlqyer në Stadiumin “Skënderbeu” 45 minutat e pjesës së parë u mbyllën në barazim pa gola, por me një lojë të kujdesshme nga ana e të dyja skuadrave.
Shumë pak raste për t’u shënuar, kur janë korçarët fillimisht që rrezikojnë me anë të Marko Radas, që me kokë e dërgon topin jashtë kuadratit të portës. Kundërpërgjigjet menjëherë Kukësi me anë të Pero Pejiç. Kroati driblon bukur brenda zonës, godet por topi devijohet nga mbrojtja korçare në goditje këndi.
Në minutat e fundit, Kukësi rrezikon sërish me anë të Pejiçit që kroson mjaft bukur brenda zonës por topi i goditur prej kuksianëve përfundon jashtë kuadratit të portës. Më pas është Diogo Martins që përballë portierit të Kukësit bën më të vështirën duke e dërguar topin jashtë kuadratit të portës.
Me fillimin e pjesës së dytë, Skënderbeu kalon në epërsi me anë të Abazit, që shënon pas një goditje nga larg zonës në ecje e sipër. Teksa dukej se takimi po mbyllej me fitoren e vendasve, Kukësi përfiton një 11-metërsh në fund të takimit.
Goditjen nga pika e bardhë e kthen në gol Zeqiri, duke siguruar kështu një pikë të artë për verilindorët. Pas këtij barazimi, Kukësi vazhdon të ruajë vendin e parë në renditje, me 48 pikë, i ndjekur nga Tirana me 47, Skënderbeu me 45 dhe Partizani me 44 pikë.