Gjergj Vyshka 07.04.2015 13:20
Në Kukës 20 centimetra dëborë, Hallaçi: “Fushën do ta pastrojmë dhe me duar”. Një ndër sfidat më interesante të gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë, që do të zhvillohen nesër, është përplasja e Kukësit me Skënderbeun. E thënë ndryshe, përplasja e vendit të parë në renditje me vendin e dytë, teksa diferenca mes tyre, përtej faktit që kampionët në fuqi u ndalën në Laç, duket si një finale e parakohshme.
Në fakt në Kukës, edhe për shkak të vendimit të Komisionit të Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit një javë më parë, që e ka dënuar këtë fushë një ndeshje pa tifozë, ishin në pritje të vendimit të Apelit. Ky i fundit i ka zhgënjyer, pasi ka lënë në fuqi vendin e Disiplinës dhe kjo ka çuar në irritimin e tifozerisë verilindore, që madje ka spekuluar për një “komplot” të FSHF-së.
Pa thënë që për shkak të dëborës së ditëve të fundit, e cila e ka zbardhur plotësisht fushën e stadiumit “Zeqir Imeri”, Kukësi e ka shtyrë me një ditë vajtjen në qytetin verilindor për t’u përgatitur për këtë ndeshje. Që do të thotë se edhe dje është stërvitur në fushën me bar artificial të Kompleksit të Akademisë së Futbollit “Internacional” në Pezë-Helmës.
Për shefin e klubit të Kukësit, Jonuz Hallaçi, jo vetëm që ndeshja do të luhet në Kukës, por mbi të gjitha nuk ka alternativë tjetër për zhvillimin e takimit në një fushë tjetër. “Aktualisht në fushën e stadiumit tonë trashësia e dëborës është 20 centimetra, – ka shkruar ai në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”. – Bora ka nisur të shkrihet, por nëse nuk ndodh do të pastrohet me dorë nga fusha përgjatë së martës.
“Ne mendojmë se edhe tifozët do të na jenë të pranishëm në stadium dhe do të jenë mbështetje për skuadrën tonë. Ne krahas titullit, duam dhe Kupën”, – pati deklaruar Hallaçi në emër të klubit të Kukësit, duke folur para se të njihej vendimi i Apelit, në një kohë që trajnerët e katër skuadrave duket se e kanë lënë të flasin vetëm një ditë përpara ndeshjeve të para gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, të cilat do të zhvillohen nesër.