AlbanianSport.com 31/10/2021 17:55
ASNN – Nga Katari mohojnë kontaktet me klubi katalan. Ardhja e Ksavi Hernandezit në stolin e “Kamp Nou”-t mund të zgjasë më shumë sesa pritet. Që kur Joan Laporta njoftoi shkarkimin e Ronald Kumanit në mesnatë, të gjitha shigjetat u drejtuan në drejtim të ish-lojtarit të Terrasas, një mit i Barcelonës dhe një dëshirë e vjetër si e presidentit, ashtu edhe e tifozëve katalanas. Vullneti i të dyja palëve duket se është i njëjtë. Megjithatë, zbarkimi i Ksavit në Barcelonë duket se do të presë, pasi katalanët kanë hasur në rezistencë nga klubi i tij aktual, Al Sad’d.
Siç ka mësuar prestigjiozja sportive spanjolle “MARCA”, skuadra nga Katarit është e mërzitur që të gjithë po e marrin ardhjen e Ksavit në Barcelonë si të mirëqenë kur askush nga Barça nuk i ka kontaktuar ata. Të paktën tani për tani. Drejtuesit e Al Sad’dit rikonfirmojnë se Ksavi ka një kontratë dyvjeçare me klubin dhe ai është plotësisht i fokusuar në ndeshjet e ardhshme. Laporta dhe bordi i tij drejtues e dinë se kanë një detyrë të vështirë përpara: përpjekjen për të bindur skuadrën e Katarit që të lejojë nënshkrimin e futbollistit të Terrasas me Barcelonën.
Al Sad’di, që kishte heshtur për gjithçka që po ndodhte orët e fundit në Barcelonë, dhe që e preku drejtpërdrejt atë, ka reaguar në rrjetin social “Twitter”. “Në përgjigje të asaj që po qarkullon kohët e fundit, drejtuesit e Al Sad’dit rikonfirmojnë se Ksavi ka një kontratë dyvjeçare me klubin dhe është plotësisht i fokusuar në ndeshjet e ardhshme të skuadrës, për të ruajtur qëndrimin tonë në krye të ligës dhe për të mbrojtur titullin”, – thuhej në deklaratën e klubit të Katarit. Vetë Ksavi Hernández ka preferuar gjithashtu të tregojë pak kujdes përballë largimit të tij të mundshëm.
Al Sadd, një skuadër të cilën ai e drejton prej kohësh, është e pamposhtur pasi ka arritur 7 fitore në po aq ndeshje. “Jam shumë i fokusuar në punën time me Al Sad’din dhe nuk dua të flas për asgjë tjetër”, – tha Ksavi i pyetur për mundësinë që të veshë sërish fanellën e Barçës. Për momentin nga Barcelona bëjnë thirrje për qetësi. Klubi i Barcelonës nuk dëshiron të nxitojë për një kontratë për të cilën preferon të presë. Në fakt, askush nga Barcelona nuk i është drejtuar ende skuadrës së Al Sad’dit për çështjen e Xavit. Hëpërhë, Barça preferon të presë zhvillimin e ngjarjeve.