AlbanianSport.com 14.11.2016 07:05
ASNN – Portugalia ka korrur të dielën në mbrëmje fitoren e 3-të radhazi në këto 4 ndeshje të para të grupit B të Eliminatoreve të Botërorit “Rusi 2018”, teksa ka mundur në fushën e vet Letoninë me rezultatin 4-1. Emocionet e kësaj sfide janë sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë mbrëmë një tjetër sfidë interesante e futbollit evropian, ajo midis Portugalisë dhe Letonisë.
Kjo ndeshje ishte e vlefshme për grupin B, të Eliminatoreve të Botërorit 2018, ku portugezët, kampionë në fuqi të kontinentit, përballen me sfidën e Zvicrës dhe Hungarisë. Nga ana tjetër, letonezët mbanin vendin e parafundit në grup, pasi kishin marrë vetëm një fitore dhe kanë pësuar dy humbje. Janë vendasit që kalojnë të parët në epërsi, me një 11-metërsh të saktë të Kristiano Ronaldos, i cili tregohet i saktë nga pika e bardhë e 11-metërshit në minutën e 28-të.
Me këtë epërsi minimale të vendasve do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa në të dytat do të ndodhë gjithçka. Fillimisht është Kristiano Ronaldo që do të shkojë dëm një 11-metërsh në minutën e 59-të, ndërsa 7 minuta më pas, Letonia do të barazojë shifrat me anë të Zjuinsit. Por barazia do të zgjasë vetëm dy minuta, pasi Uilliam Karvajo do t’i rikthejë vendasit në epërsi, dhe Portugalia do të vulosë fitoren e thellë në shifrat 4-1, me dy gola të shënuar në 5 minutat e fundit.
Kristiano Ronaldo do të firmosë dygolëshin e tij në minutën e 85-të, ndërsa në minutën e fundit të kohës së rregullt, Bruno Alves do të shënojë golin e 4-t të Portugalisë, e cila mban vendin e dytë në renditje, me 9 pikë, 3 më pak se Zvicra kryesuese.