AlbanianSport.com 12.01.2015 20:05
ASNN – Liga e Kampioneve dhe golat e shënuar në të dhe në kampionatin spanjoll kanë peshuar më tepër sesa titulli i kampionit të botës, pasi Kristiano Ronaldo ka mposhtur sfidën e Manuel Nojerit dhe Lionel Mesit. Portugezi e fiton kështu këtë çmim për herë të tretë në karrierën e tij dhe të dytën herë radhazi, ndërsa sikundër çdo eveniment madhor, edhe ceremonia e “Topit të Artë 2014” është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Kristiano Ronaldo është kurorëzuar si futbollisti më i mirë i planetit për vitin 2014, pasi ka triumfuar ceremoninë e dhënies së “Topit të Artë”, të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Portugezi, i cili e fiton këtë çmim për herë të tretë në karrierën e tij dhe të dytën herë radhazi, ka fituar në përballjen e kampionin e botës, gjermanin Manuel Nojer, si dhe nënkampionin e botës, argjentinasin Lionel Mesi.
Për femra, këtë çmim e mori futbollistja Nadinë Kesler, e cila la prapa brazilianen Marta dhe amerikanen Emi Uombah. Ndërkohë, kampioni i botës me Gjermaninë, Joakim Lëv, ka fituar çmimin e trajnerit më të mirë të vitit për meshkuj, duke fituar sfidën me homologët e tij, trajnerin e Realit të Madridit, Karlo Ançeloti, dhe atë të Atletikos së Madridit, Diego Simeone. Ndërsa për futbollin e femrave, këtë çmim e fitoi një tjetër gjerman, trajneri i Volfsburgut, Ralf Kellerman.
Çmimin “Pushkash” për golin më të bukur e fitoi kolumbiani Hames Rodrigez, për atë gol të shënuar gjatë Botërorit 2014 ndaj Uruguajit, ndërsa Çmimi Presidencial shkoi për gazetarin veteran nga Japonia, Hiroshi Kagaua, i cili ka mbuluar deri më tani 10 Kampionate Botërorë në një karrierë të jashtëzakonshme. 11-shi më i mirë i 2014-s, që u shpall në këtë ceremoni, përbëhej nga portieri Manuel Nojer, mbrojtësit, Serxhio Ramos, Thiago Silva, David Luiz dhe Filip Lahm, mesfushorët, Andres Injesta, Toni Kros dhe Angel Di Maria, si dhe sulmuesit Lionel Mesi, Kristiano Ronaldo dhe Arjen Roben.