AlbanianSport.com 11/01/2019 16:35
ASNN – Prokurorët francezë e akuzojnë Tsunekazu Takedën për një pagesë të dyshimtë prej 2 milionë Eurosh. Kështu, kreu i Komitetit Olimpik të Japonisë është akuzuar në Paris për “korrupsion aktiv”, në lidhje me fitimin e të drejtës së organizimit Lojërave Olimpike në Tokio në 2020-ën, tha të premten një burim gjyqësor.
Sipas burimit në fjalë, të cituar nga Agjencia Franceze e Lajmeve, AFP, Tsunekazu Takeda u akuzua më 10 dhjetor nga prokurorët, pas një hetimi mbi një pagesë të dyshuar prej dy milionë Eurosh, të bërë në rrethana të dyshimta, para se kryeqyteti japonez të zgjidhej për të pritur Olimpiadën.
Tokio mundi Madridin dhe Stambollin në votimin e vitit 2013. Muajin e kaluar, presidenti i IOC-së, Tomas Bah, i kërkoi zyrtarisht Senegalit të bashkëpunojë me autoritetet gjyqësore franceze që hetojnë korrupsionin e përhapur gjerësisht në dy dhjetëvjeçarët e fundit në atletikën ndërkombëtare.
Në një letër të parë nga AFP-ja, dërguar presidentit senegalez Maki Sall, më 16 nëntor 2018, Bah shkruante se prokurori, Renod van Ruimbeke, “na sqaroi për vështirësitë që ai ka hasur në ekzekutimin e dy procedurave hetimore drejtuar Ministrit e Drejtësisë së Senegalit”.
Papa Masa Diak, djali i ish-presidentit të IAAF-it, Lamin Diak, dhe njëkohësisht një këshilltar i fuqishëm i marketingut në këtë organizëm ndërkombëtar, dyshohet se ka marrë disa milionë euro ryshfet, qoftë për kontrata sponsorizimi, ose për të favorizuar Rio de Zhaneiron dhe Tokion si mikpritës përkatësisht të Olimpiadës së 2016-ës dhe asaj të 2020-ën.
Masa Diak ka qenë në listën të kërkuarve të Interpolit që nga dhjetori i vitit 2015, por qeveria senegaleze refuzon ta ekstradojë atë në Francë.