AlbanianSport.com 08/05/2020 21:40
ASNN – Federata e Futbollit e Kosovës është në pritje të dritës jeshile për rinisjen e stërvitjeve e më pas garave në futbollin e Kosovës. Gjithçka tashmë është në dorë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike pasi që Ministria e Shëndetësisë së dhe ajo e Sportit ia kanë lënë në dorë IKSHP-së që ta japë miratimin përfundimtar.
Duke folur për të përditshmen vendase “Zëri”, Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu ka thënë se as të premten nuk kanë marrë leje për rifillimin e stërvitjeve nga IKSHP-ja. “Ende nuk kemi marrë leje, – tha ai. – Jemi në komunikim të vazhdueshëm, por ende jemi duke pritur”.
“Tashmë dihet se shumë kampionate kanë nisur dhe ne jemi duke humbur shumë kohë dhe më tepër janë duke humbur futbollistët”, shtoi ai mes tjerash. FFK-ja synon që më 24 maj të fillohet me ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, kurse një javë më pas, më 1 qershor, të rifillojë Superliga, teksa kanë mbetur edhe 11 javë për t’u luajtur.
UEFA u ka dhënë federatave kombëtare afat deri më datën 25 maj për të njoftuar për planet e tyre rreth rifillimit të kampionateve vendase, që duhet të përfundojnë deri më 20 korrik. Në Superligën e Kosovës janë zhvilluar dy fazat e para, derisa kanë mbetur edhe 11 javët e fazës së fundit.
Përpos kësaj, janë edhe ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Kosovës. Në dy çiftet e gjysmëfinaleve janë përballë njëra-tjetrës Prishtina dhe Drenica dhe Ballkani dhe Feronikeli. Në fakt, FFK-ja po kërkon që ekipeve t’u lejohet stërvitja në grupe që nga java e ardhshme. Por Ministria e Shëndetsisë ende nuk ka dhënë dritën jeshile.