AlbanianSport.com 25/05/2020 21:40
ASNN – Thonë se oreksi vjen duke ngrënë dhe, pas ka triumfuar para 4 vitesh në Brazil, Majlinda Kelmendi deklaron se synon ta fitojë sërish medaljen e artë edhe në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, që janë shtyrë për vitin tjetër. Ajo ka theksuar se do të përgatitet maksimalisht për ta fituar edhe një medalje ashtu siç kishte bërë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, ku i pati siguruar Kosovës medaljen e artë olimpike. “Ka qenë parashikuar të mbahej Evropiani në prill, por është shtyrë”, – ka thënë Majlinda në intervistën dhënë emisionit sportiv të KTV-së “Sporti Total”.
“Mirëpo, pavarësisht sa gara do të ketë, synimi do të mbetet Olimpiada në Tokio, – ka vijuar ajo. – Jam bërë njëherë fituese e medaljes olimpike dhe do ta bëjë të pamundurën ta mbroj titullin.” Para se të merrte pjesë në “Rio 2016”, 29-vjeçarja nga Peja e përfaqësoi Shqipërinë në Lojërat Olimpike që u mbajtën në vitin 2012 në Londër. Kelmendi dhe xhudistët tjerë elitarë të Kosovës janë në izolim në qendrën e klubit “Ippon” të Pejës, për shkak të koronavirusit. “Gjatë karantinës nuk është se më ka munguar diçka përveç familjes”, – rrëfen ajo në intervistën në fjalë.
“Realisht kam pasur nevojë të qëndrojë në një vend dhe të mos kem gara, pasi që një vit po përballem me disa dëmtime, – ka vijuar 29-vjeçarja. – Jam stërvitur, por nuk kam mundur të stërvitem 100 %. Ne nuk i kemi ndërprerë stërvitjet, ndryshe nga vendet e tjera të botës, për shkak të epidemisë. Po shpresoj që garat e para do të fillojnë në muajin shtator dhe ne do të marrim pjesë menjëherë. Nuk e dimë saktë se ku do të jetë gara e parë për shkak të kalendarit, por do t’i ndjekim gjitha garat e mëdha.”