AlbanianSport.com 29/11/2018 13:45
ASNN – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka pritur në takim xhudistët dhe trajnerin e tyre, Driton Kukën, ku ua shprehi mirënjohjen për ngritjen e vendit në këtë sport, përmes 21 medaljeve të fituara gjatë këtij viti.
Në këtë takim, ishim të pranishëm xhudistët Majlinga Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Loriana Kuka, Akil Gjakova, trajneri Driton Kuka dhe kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka.
“Gjeneratës së artë të xhudos me normë olimpike të prirë nga strategu Driton Kuka, pata kënaqësinë t’i shpreh mirënjohjen dhe konsideratat më të thella, për ngritjen e Kosovës në brend botëror në këtë sport”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”.
“Vetëm këtë vit i kanë sjellë vendit 21 medalje, duke e lartësuar flamurin tonë, – vijon ai më tej. – U zotova se heronjtë tanë, që na bëjnë krenarë dhe na japin vullnet për të tejkaluar të gjitha sfidat që Kosova i ka përpara, nuk do t’i lëmë vetëm në këtë maratonë suksesesh, duke u krijuar me urgjencë kushte të volitshme infrastrukturore”.