AlbanianSport.com 08.01.2016 13:10
ASNN – Mbrëmë, festa e volejbollisteve të reja të përfaqësueses së Kosovës ishte e madhe. Ato kishin arsye për të festuar së bashku me rreth 300 shikues të mbledhur në Pallatin e Rinisë, të Kulturës dhe të Sporteve në Prishtinë, meqë ishte fitorja e parë në ndeshjen e parë për Kosovën në nivel përfaqësuesesh.
Përfaqësuesja e Nën-19-vjeçareve të Kosovës, mposhti të enjten mbrëma përfaqësuesen e Izraelit me rezultatin 3-0, në kuadër të turit të parë të Eliminatoreve të Kampionatit Evropian të kësaj grupmoshe. Trajnerja e Kosovës, Vildane Jashari, vlerësoi lart përkushtimin e volejbollisteve të saj.
“Është kënaqësi që, për herë të parë, po luajmë në nivel përfaqësuesesh dhe po ashtu për herë të parë po organizohet një ngjarje e tillë në Kosovë, – ka thënë ajo për mediat vendase. – Kur kësaj i shtohet edhe fitorja e arritur nga ana jonë, atëherë është fantastike. Ekipi është i mirë në përbërje, por ka nevojë ende për përmirësime.”