AlbanianSport.com 06.03.2015 19:55
ASNN – Sipas asaj që raportojnë mediat kosovare, delegacioni i FFK-së, në krye me presidentin Fadil Vokrrin dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Eroll Salihu, do të jenë të hënën, më 9 mars 2015, në selinë e UEFA-s, ku do të kenë takim me zyrtarë të nivelit më të lartë të organizmit që qeveris futbollin kontinental.
E përditshmja e mirënjohur kosovare, “Koha Ditore”, shkruan se, në bazë të shumë takimeve të mëparshme me zyrtarë të lartë të UEFA-s, palët kanë rënë dakord që të vazhdohet me takime të nivelit të lartë, në mënyrë që të përgatitet FFK-ja për anëtarësimin në UEFA, përkatësisht për përgatitjen për aplikim dhe tejkalimin e pengesave ligjore dhe statutore për pranimin e FFK-së në këtë institucion.
Në këtë takim do të bisedohet edhe se si të ndihmohet FFK-ja që të jetë sa më e përgatitur për anëtarësim në UEFA. Megjithatë, media tjetër kosovare në Internet, Gazeta “Express”, ka shkruar se Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka bërë një gafë kur ka paralajmëruar takimin me zyrtarët të lartë të UEFA-së. FFK-ja ka paralajmëruar gjatë ditës së sotme, se më 9 mars, do të takohen me presidentin e UEFA-s, Mishel Platini, dhe me zyrtarë të këtij organizmi.
Por, vetëm pas disa minutave, FFK ka dërguar njoftimin e radhës duke bërë të ditur se me 9 mars do të takohen me zyrtarët të UEFA-së dhe jo me Platininë.