AlbanianSport.com 20.03.2015 14:40
ASNN – Pas pranimit të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, apo dhe basketbollit kosovar në Federatën Botërore dhe atë Evropiane, një tjetër lajm i mirë vjen për sportin kosovar. Anëtare e Federatës Botërore të Kikboksit (WAKO), tashmë është bërë dhe Kosova. Lajmi për pranimin e Federatës Kosovare të Kikboksit është konfirmuar nga krerët e kësaj federate.
“Pas pranimit në WAKO-Evropa, sot Federata e Kikboksit të Kosovës është pranuar me drejta të plota në WAKO-Bota”, është thënë në njoftimin e Federatës së Kikboksit të Kosovës. Menjëherë pas këtij lajmi, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, me rastin e pranimit me të drejta të plota të Federatës të KikBoksit të Kosovës në Federatën Ndërkombëtare, ka uruar drejtuesit e Federatës dhe të gjithë sportistët.
Njëherësh ai ka falënderuar gjithashtu edhe të gjithë ata që kanë ndihmuar në arritjen e këtij qëllimi. Ministri Shala i ka përgëzon kikboksierët, duke u dëshiruar suksese dhe korrje të rezultateve dhe sukseseve sa më të mëdha në garat që do të marrin pjesë. Ndërkombëtarizimi i Kikboksit kosovar është një lajm i mirëpritur dhe është tepër i rëndësishëm, ngaqë kësaj federate i janë hapur dyert për gara në garat botërore.
Në anën tjetër, anëtarësimi i Federatës së Kikboksit me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Kikboksit është një inkurajim për institucionet e sportit të Kosovës dhe për angazhim edhe më të madh për përfaqësim sa më cilësor në arenën ndërkombëtare, ka përfunduar Shala.