AlbanianSport.com 14.09.2015 12:15
ASNN – Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë të ditur se kryetari Fadil Vokrri, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Eroll Salihu, janë ftuar nga UEFA të marrin pjesë në një takim që do të mbahet me 54 federatat anëtare të saj.
Takimi do të mbahet në Maltë, nga data 14 shtator, deri më 17 shtator, me të gjithë krerët e federatave kontinentale. Në ditën e dytë të takimit do të zhvillohet një ndeshje ndërmjet kryetarëve të federatave dhe sekretarëve.
Në këto ekipe do të jenë edhe Vokrri e Salihu. “Njërit ekip do t’i prijë presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, – thuhet në njoftimin e FFK-së. – Në këtë ekip do të luajnë edhe emra të njohur të futbollit botëror si Bonjek, Shuker, Saviçeviç, por dhe kreu i FFK-së, Vokrri.”
“Ekipin tjetër do ta përbëjnë Sekretarët e Përgjithshëm të Federatave”, – vijon më tej ky njoftimin. Ky takim informal i paraprin mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, që do të mbahet më 17 dhe 18 shtator 2015 në Maltë.
Pavarsisht se është një takim jozyrtar, ftesa e Kosovës për pjesëmarrje në të shënon një hap përpara në pranimin e futbollit kosovar në arenën kontinentale.