AlbanianSport.com 01.03.2017 16:15
ASNN – Sipas asaj që raportojnë mediat e Prishtinës, projekt-menaxheri i mbikëqyrjes në UEFA, Tyrge Borno, ka vizituar stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, në të cilin organizmi që qeveris futbollin kontinental ua ka lejuar klubeve të Kosovës t’i zhvillojnë ndeshjet evropiane, por pasi të kryhen disa punime.
Por, Borno i ka kritikuar institucionet kosovare që s’kanë bërë asgjë në këtë drejtim. “Në prill të vitit të kaluar u kam treguar se çka duhet të punohet në këtë stadium, por asgjë nuk paska ndryshuar nga atëherë dhe kjo nuk është në rregull”, – ka deklaruar projekt-menaxheri i mbikëqyrjes në UEFA.
Me një investim të përbashkët të Ministrisë së Sportit të Kosovës dhe të Komunës së Prishtinës, disa muaj më parë kanë nisur punimet e rinovimit të stadiumit të kryeqytetit të Kosovës, i cili deri tani nuk i plotësonte kushtet për zhvillimin e ndeshjeve zyrtare ndërkombëtare.
Edhe pse deri tani duket se punimet kanë shkuar me “hapin e breshkës”, ata që e kanë marrë në dorë rinovimin e stadiumit zotohen se punimet do të mbyllen sipas parashikimeve, pra nga muaji gusht, pak javë para ndeshjes që mund ta zhvillojë Kosova në këtë stadium me Finlandën, më 5 shtator të këtij viti.
Shpresohet që punimet të kryhen deri në atë kohë dhe përfaqësuesja, e cila përkohësisht po i zhvillon ndeshjet si vendëse në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, të zhvendoset në shtëpinë e saj. Por zyrtari i UEFA-s i ka dhënë një dush të ftohtë këtyre shpresave dhe FFK-ja duhet të zgjohet…