AlbanianSport.com 28.12.2016 16:15
ASNN – Duket se klubet kosovare të basketbollit vazhdojnë të përballen me telashe për t’u stabilizuar me lojtarë të huaj. Ka fare pak raste kur një lojtar i huaj ka qëndruar me shumë se një edicion në klubet kosovare.
Por, sikundër e theksojnë edhe mediat e Prishtinës, edhe qëndrimi gjatë një edicioni të plotë po bëhet i rrallë dhe vështirë i realizueshëm. Ka plot raste kur klubet angazhojnë lojtarë të huaj, kryesisht amerikanë, dhe i lirojnë ata pas njëfarë kohe.
Kjo, pasi kontributi që japin nuk është në përputhje me pritshmëritë. Ana tjetër e medaljes është që lojtarët që e tregojnë veten në parket, gjithnjë e më shumë po refuzojnë të qëndrojnë gjatë në klubet kosovare.
Kjo ndodh, para së gjithash, për shkak të vonesës së pagave, por po ashtu edhe për shkak se lojtarët marrin oferta më të mira nga klube të tjera evropiane, ndërsa ka raste që bëhet fjalë për lojtarë që për çdo edicion ndërrojnë nga dy-tri ekipe.
I fundit që është larguar pa leje të klubit për të cilin luante, është amerikani i Bashkimit të Prizrenit, Erik Palm. Fundori me klubin prizrenas kishte nënshkruar kontratë më 30 tetor 2016, pasi luajti disa ndeshje në Sllovaki.
Por, më 23 dhjetor 2016, ai firmosi me Bakken Bears në Danimarkë. Megjithatë, Palmi nuk është regjistruar ende në klubin e ri, pasi Bashkimi i Prizrenit nuk ia ka lëshuar ende lejekalimin.