Nga Moral Pozhegu (Zëri) 17.02.2016 09:35
17 Shkurti, Dita e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, konsiderohet si festa e parë zyrtare shtetërore në Republikën e Kosovës. Mirëpo, drejtuesit e federatave sportive në vend, por edhe ata të klubeve në sporte të ndryshme, nuk e kanë parë të arsyeshme ta shënojnë së paku me një veprimtari të vogël sportive këtë ditë historike për Kosovën. E mërkura do të jetë e heshtur në aspektin sportiv, pasi nuk është paralajmëruar ndonjë veprimtari .
Krerët e federatave arsyetohen se është e vështirë që në këtë periudhë t’i grumbullosh yjet që luajnë jashtë për ta zhvilluar ndonjë ndeshje, për shkak të detyrimeve që kanë ndaj klubeve të tyre. Por, sa është kjo arsye bindëse për ta harruar një festë si ajo e Pavarësisë? Njohësit e sportit mendojnë se, me gjasë, problemet që kanë sportet kosovare kanë reflektuar që të harrohet shënimi i festës së të mërkurës.
“Si mund të harrohet një ditë aq e rëndësishme si ajo e Shpalljes së Pavarësisë, të cilën e kemi pritur me shekuj? , – thotë për “Zërin” trajneri i futbollit, Hysni Maxhuni. – Në të ardhmen gjithsesi se duhet nderuar kjo ditë me organizime sportive. Shteti ka probleme të tjera dhe nuk është marrë me sportin, por as drejtuesit e federatave nuk e kanë parë të udhës ta organizojnë ndonjë ndeshje.”
“Si duket i kanë problemet e veta dhe nuk kanë menduar për këtë punë”, – shtoi trajneri mitrovicas. Të njëjtin mendim e ndan edhe Masar Nixha, i cili sportit ia dhuroi një jetë. Sipas tij, dikush nga federatat është dashur të lëvizë e të mos e lërë të shkojë kjo festë si të mos ekzistonte fare. “Natyrisht se duhet të festohet kjo ditë me ndonjë aktivitet sportiv”, – thotë ai.
“Është dashur që drejtuesit e federatave apo klubeve të mendonin më herët për këtë punë, – deklaroi profesor Nixha, trajner shumëvjeçar i basketbollit. – Në Federatën e Basketbollit të Kosovës duket se nuk janë të prirur për veprimtari të tilla, ata nuk mbajnë manifestime as në fundvit, kur duhet të falënderohen ata që dhanë kontribut. Kjo është e çuditshme.”
Në të kaluarën federatat e sporteve kryesore, por edhe klubet, organizonin ndeshje apo manifestime sportive për nder të Festës së Flamurit, më 28 nëntor. Mirëpo, kjo festë u zbeh shpejt në botën e sportit kosovar, duke e vënë në plan të parë 17 shkurtin. Mirëpo, tash po del që sporti nuk po e nderon as Ditën e Shpalljes së Pavarësisë. Duket se, përfundimisht, sporti e ka harruar këtë festë.
Linku i shkrimit origjinal: