AlbanianSport.com 16.02.2016 15:20
ASNN – Federata e Boksit e Kosovës (FBOXK) e ka cilësuar të suksesshme pjesëmarrjen në turneun “Mimoza e Artë”, që u mbajt në fundjavë në Herceg-Novi të Malit të Zi. Sipas FBOXK-së, boksierët kosovarë fituan katër medalje të arta në këtë turne ndërkombëtar.
Ishte edicioni i 14-të i këtij turneu në të cilin boksierët kosovarë ka vite që paraqiten. Por, organizatori nuk i prezantoi ata në mënyrë të njëjtë me boksierët e vendeve tjera, raportojnë sot mediat e Prishtinës. Të paktën Kosova nuk është paraqitur e barabartë me vendet tjera në pankartën zyrtare reklamuese të turneut.
Në të shkruan se do të marrin pjesë boksierë nga Italia, Mali i Zi, Serbia, Kroacia, Sllovenia, Suedia, Maqedonia, Prishtina, Shqipëria, Bosnja dhe klube nga Republika Serbe. Pra nuk shkruan “Kosova”, por “Prishtina”. Boksierët e Kosovës janë paraqitur si boksierë të Prishtinës edhe në një shkrim të faqes “radiohercegnovi.net”, ndërsa për boksierët tjerë janë paraqitur vendet prej nga vijnë.
Media të tjera malazeze kanë shkruar se merr pjesë Kosova, ndërsa “Kosova” shkruan edhe në një fletë ku janë paraqitur çiftet e boksierëve, të cilën e ka bërë publike FBOXK-ja. Në FBOXK thonë se kanë marrë pjesë si shtet dhe se pankarta që i paraqet ata si “Prishtinë”, është problem i moçëm.
“Ne jemi paraqitur si shtet dhe pankarta është e vjetër nga koha kur nuk ishim të pranuar e merrnim pjesë si “Prishtinë”. Ajo pankartë përdoret çdo vit, por i ndërrohet vetëm viti”, – ka thënë zëdhënësi i FBOXK-së, Latif Demolli, pa shpjeguar se pse nuk po ndërrohet edhe emri “Prishtina” me “Kosovë”.