AlbanianSport.com 19.05.2015 22:05
ASNN – Komisari i Garave në Federatën e Basketbollit të Kosovës ka marrë vendimin në lidhje me takimin e ndërprerë mes SIGAL Prishtinës dhe Pejës. Dje, Peja nuk u rikthye në pjesën e dytë të takimit të tretë final ndaj Prishtinës dhe, sipas vendimit, fitorja i takon Prishtinës me rezultat 20-0. Komisari i Garave e ka vlerësuar si të mirë organizimin e ndeshjes dhe skuadra vendase ishte korrekte dhe sportive.
“Skuadra e KB “Peja” 1 minutë e 30 sekonda para fillimit të gjysmës së dytë të ndeshjes, teksa rezultati ishte 39-26 në favor të KB “SIGAL Prishtina, është tërhequr nga fusha e lojës dhe nuk është paraqitur për zhvillimin e pjesës së dytë të ndeshjes edhe përkundër pritjes dhe kërkesës së personave zyrtarë të ndeshjes”, – thuhet në vendimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.
“Për këtë arsye, konform nenit 55.12. të Rregullores së Garave, KB “Peja”, i humb të gjitha ndeshjet e mbetura të “Play-off”-it të ETC Superligës së Kosovës në basketboll për Meshkuj për sezonin 2014-2015”, – vijon më tej vendimi në fjalë. FBK-ja i ka dënuar të dy klubet me nga 100 euro gjobë për këtë ndeshje, Pejën për shkak të mungesës së Logove të FBK-së në fanella.
Ndërsa SIGAL Prishtina gjobitet për shkak të hedhjeve të shisheve plastike nga tifozët. “Pas braktisjes së fushës së lojës në ndeshjen e tretë finale të “play-off”-it, dhe regjistrimit të ndeshjes së 3-të dhe ndeshjes së 4-t finale të “play-off”-it, me rezultat zyrtar, KB SIGAL PRISHTINA shpallet “Kampion” i ETC Superligës së Kosovës në Basketboll për Meshkuj për edicionin 2014-2015”, – thuhet në fund të njoftimit.