AlbanianSport.com 04.08.2015 15:55
ASNN – Sikundër ishte njoftuar më herët, klubi më i suksesshëm në basketbollin kosovar, SIGAL Prishtina, do të jetë këtë sezon pjesë e veprimtarive evropiane dhe sot ka mësuar kundërshtarët e saj për “FIBA Europa Cup”, pas shortit të hedhur në Mynih të Gjermanisë.
SIGAL Prishtina është në grupin K së bashku me skuadrën e Energia Targu Jiu të Rumanisë, BC Astana të Kazakistanit dhe AEK-un e Larnakës së Qipros. Ndeshjet në këtë veprimtari do të fillojnë më 28 tetor 2015 dhe do të përfundojnë me finalen e madhe, më 1 maj 2016.
Në edicionin e ri në në këtë ligë do të marrin pjesë 56 ekipe, të cilat do të ndahen në 2 Konferenca që janë të bazuara në afërsinë gjeografike, por edhe në numrin e klubeve të regjistruara nga një shtet. Për Kosovën në këtë garë do të marrë pjesë vetëm SIGAL Prishtina, e cila është në Konferencën e dytë.
Sistemi i garave do të jetë kështu: 56 klubet do të ndahen në short në 14 grupe nga 4 ekipe. Secili klub do të luaj me klubin e grupit të tij në ndeshjet brenda dhe jashtë (6 ndeshje për secilën skuadër). Kjo është sa i përket edicionit të rregullt, pasi në fazën tjetër do të kualifikohen 32 klube të cilat do të ndahen në 8 grupe nga 4 skuadra.
Secili ekip do të luaj me ekipet e grupit të tij në ndeshjet brenda dhe jashtë vendit (6 ndeshje për secilën skuadër). Ndërkaq në “play-off” do të marrin pjesë 16 klube nga 32, kurse fituesit e 16 klubeve do të kualifikohen për në çerekfinale. Në “Final Four” (4-shen finale) do të kualifikohen fituesit e çerekfinaleve dhe fituesit e tyre për ne finale, ndërsa humbësit për vend të tretë. “Final Four”-i do të luhet të premten dhe të dielën.
“FIBA Europa Cup”
Ja përbërja e grupit K
Nr. Ekipi Vendi
- Energia Targu Jiu Rumani
- BC Astana Kazakistan
- AEK Larnaka Qipro
- SIGAL Prishtina Kosovë