AlbanianSport.com 31.05.2016 17:55
ASNN – Edhe sezonin e ardhshëm, Kosova mund të përfaqësohet me 3 skuadra në Ligën Ballkanike (BIBL). Lajmin e ka konfirmuar për të përditshmen kosovare “Zëri” vetë drejtori i kësaj lige, Shej Shtriks. Sipas tij, Federata e Basketbollit të Kosovës do të vendosë se cilat skuadra t’i dërgojë në BIBL, për të cilën premton se do të jetë shumë më e fuqishme në edicionin e ri
Kështu, skuadrat kosovare do të vazhdojnë ta “popullojnë”’ Ligën Ballkanike edhe sezonin tjetër. Ishte pikërisht kjo ligë ajo që ua hapi dyert atyre për herë të parë para tre sezonesh, me pjesëmarrjen e SIGAL Prishtinës dhe Pejës. Dhe, paraqitjet e tyre bindëse në dy sezonet e para, bënë që drejtuesit e BIBL-së t’ia mundësonin Kosovës që në edicionin e fundit të paraqitej me 3 ekipe, duke ia bashkuar dy gjigandeve edhe Bashkimin.
Madje, bardhekaltrit kryeqytetas e arsyetuan plotësisht besimin e BIBL-së duke e fituar titullin e kampionit në dy sezonet e fundit. Për këtë, drejtuesit e Ligës Ballkanike po duan t’ua japin rastin prapë skuadrave kosovare. Drejtori i BIBL-së, Shej Shtriks ka zbuluar për “Zërin” se do të jenë dy eventualisht tri skuadra kosovare që mund të marrin pjesë në këtë ligë sezonin tjetër.
Ndërkohë, ai ka rrëfyer se është në pritje të përgjigjes nga drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës se me cilat ekipe do të përfaqësohet Kosova në BIBL. “Në fund të muajit qershor ne do t’i marrim emrat e tri ekipeve nga Federata e Basketbollit të Kosovës, – tha izraeliti për të përditshmen në fjalë. – Në bashkëpunim me ta ne do të shohim se cilat ekipe do të jenë sezonin e ardhshëm në BIBL.”