AlbanianSport.com 19.04.2016 10:25
ASNN – Në Bardhosh është mbajtur pjesa e dytë e Kampionatit të 8-të të Kosovës në taekuondo “Kjorugi 2016”, në kategorinë A. Përmes një komunikate për shtyp të këtij organizmi që qeveris taekuondonë kosovare është bërë e ditur se ky kampionat është mbajtur në mjediset e Kolegjit “Universi”.
Në këtë garë ishin pjesëmarrës 5 klube nga Prishtina, Fushë Kosova, Obiliqi, Drenasi dhe Lipjani me 46 garues të kategorive dhe moshave të ndryshme. Titulli i “kampiones” si klubi me i mirë në kategorinë A i takoi Akademisë së arteve marciale “Prishtina”, vendi i dytë, klubit “Drenica” nga Drenasi, dhe vendi i tretë klubit “Kastrioti” nga Obiliqi.
Bëhet e ditur se në javën e kaluar u zhvillua Kampionati në kategorinë B, me pjesëmarrës nga Prishtina, Prizreni, Drenasi, Mitrovica, Gjilani, Fushë Kosova dhe Kastrioti. Në këtë kategori fitues ishin shpallur klubi “Prishtina”, vendi i dytë klubi “Mitrovica” dhe vendi i tretë “Gjilani”.
FTK ka thënë se shpreson që së shpejti të marrë pjesë me garuesit më të mirë kosovar edhe në Kampionatin Evropian për Të Rritur, që do të mbahet në muajin e ardhshëm në Zvicër. Po ashtu disa nga prioritetet e FTK-së gjatë këtij viti dhe viteve në vazhdim thuhet se janë masivizimi i taekuondosë në Kosovë.